Më 13 tetor 2026, në orën 18:30, me rastin e Ditës Kombëtare të Spanjës (12 Tetor) dhe 20-vjetorit të hapjes së Ambasadës së Spanjës në Shkup, do të mbahet pritja zyrtare e organizuar nga Ambasada, në kuadër të së cilës do të inaugurohet ekspozita “PICASSO: IMAZHI I MUZEUT. Përzgjedhje veprash nga koleksioni i MKA-Shkup”, e organizuar në bashkëpunim me Muzeun e Artit Bashkëkohor – Shkup, transmeton Portalb.mk.
Ekspozita merr si pikënisje veprën ikonike “Koka e gruas” të Pablo Picasso-s, një nga veprat më përfaqësuese të koleksionit të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup. Përmes tre linjave kuratoriale, ekspozita shqyrton rolin e kësaj vepre si simbol i institucionit dhe i solidaritetit ndërkombëtar që çoi në themelimin e muzeut pas tërmetit katastrofik të vitit 1963; prezanton një riprodhim taktil inovativ që zgjeron mundësitë e qasjes dhe interpretimit të pikturës; si dhe e vendos krijimtarinë e Picasso-s në dialog me një rrjet të gjerë artistësh modernë dhe bashkëkohorë të përfaqësuar në koleksionin e MKA-Shkupit.
Ekspozita ofron një reflektim mbi kujtesën, qasjen dhe shkëmbimin kulturor, duke vënë në pah lidhjet e thella ndërmjet Spanjës, Maqedonisë së Veriut dhe trashëgimisë së solidaritetit ndërkombëtar që përfaqëson muzeu.