Shfaqja teatrale “Babai”, që trajton kontrollin dhe dhunën psikologjike do të jepet premierë më 13 tetor në Shkup

Më 13.10.2026, në Qendrën Kulturore “Laboratorium”, do të jepet premiera e shfaqjes teatrale “Babai”, me regji të Nina Nikoliqit dhe në produksion të “Peripetija Production”. Shfaqja bazohet në dramën me të njëjtin emër të August Strindbergut, por paraqet një lexim bashkëkohor të kësaj vepre klasike, përmes përshtatjes së tekstit nga Tamara Baraçkov, transmeton Portalb.mk.

Përshtatja e zhvendos perspektivën e dramës origjinale dhe konfliktin e saj qendror e vendos në kontekstin e marrëdhënieve bashkëkohore bashkëshortore dhe familjare.

Në fokus është marrëdhënia e ndërlikuar mes bashkëshortëve, përtej ndarjes së thjeshtë në viktimë dhe fajtor. Shfaqja vë në pikëpyetje mekanizmat e pushtetit dhe kontrollit në marrëdhëniet intime, si dhe mënyrën se si dhuna psikologjike zhvillohet gradualisht, normalizohet dhe përshkallëzohet brenda familjes.

Përshtatja bashkëkohore e ndryshon edhe pozicionin e personazhit femëror: në vend që të përpiqet të dëshmojë se bashkëshorti i saj nuk është i aftë mendërisht, ajo kërkon ndihmë dhe mbrojtje institucionale për shkak të dhunës psikologjike ndaj së cilës është e ekspozuar. Në këtë mënyrë, konflikti i Strindbergut hap diskutimin për çështje që lidhen drejtpërdrejt me kontekstin bashkëkohor shoqëror.

“Babai” nuk është histori për luftën mes parimeve mashkullore dhe femërore, por histori për njerëz të bllokuar në një marrëdhënie shkatërruese, në të cilën mosbesimi, nevoja për kontroll dhe lufta për pushtet gradualisht e pamundësojnë dialogun. Shfaqja ngre pyetjen se ku përfundon konflikti dhe ku fillon dhuna, por edhe çështjen e fajit dhe përgjegjësisë në një marrëdhënie që gradualisht arrin pikën e shpërthimit.

Në shfaqje luajnë: Sasha Handxhiq, Amernis Nokshiqi, Toni Denkovski, Bojan Kirkovski dhe Irena Dimeska. Skenografia është realizuar nga Ilina Angelovska, kostumet nga Ivana Karanfilovska Ugurovska, ndërsa muzika nga Oliver Josifovski.

Projekti mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ambasada e Mbretërisë së Suedisë, ndërsa realizohet në produksion të “Peripetija Production”.

Duke folur për mbështetjen që Ambasada i jep këtij produksioni, ambasadori i Suedisë, Ola Sullström, deklaroi:

“August Strindberg është një nga dramaturgët suedezë më me ndikim, ndërsa veprat e tij vazhdojnë të nxisin reflektim për çështje që mbeten jashtëzakonisht aktuale edhe sot. Në Ambasadën e Suedisë besojmë se kultura përbën një urë të fuqishme mes kombeve, duke krijuar mundësi për dialog, mirëkuptim dhe lidhje më të forta mes njerëzve.

Jemi veçanërisht të kënaqur që mbështesim vënien bashkëkohore në skenë të shfaqjes ‘Babai’, në produksion të ‘Peripetija Production’, e cila hap një hapësirë të rëndësishme për diskutim mbi marrëdhëniet gjinore, dinamikën e pushtetit, kontrollin dhe format e keqtrajtimit psikologjik që mund të përshkallëzohen në dhunë me bazë gjinore.

Suedia mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj parandalimit dhe luftimit të dhunës me bazë gjinore dhe besojmë se arti dhe kultura mund të luajnë rol kyç në ndërgjegjësimin e publikut, vënien në pikëpyetje të normave të dëmshme dhe nxitjen e bisedave kuptimplota që kontribuojnë në një shoqëri më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse.”

Në kuadër të fushatës globale “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila zhvillohet nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, Ambasada e Suedisë dhe “Peripetija Production” do t’i ftojnë të rinjtë të marrin pjesë në shfaqjen e 9 dhjetorit.

Pas shfaqjes do të zhvillohet një diskutim për dhunën me bazë gjinore dhe pasojat e saj më të gjera për individët, familjet dhe shoqërinë, me qëllim nxitjen e ndërgjegjësimit, të menduarit kritik dhe dialogut për këtë çështje të rëndësishme.

Shfaqjet e ardhshme do të mbahen më 14.10.2026, 04.11.2026, 05.11.2026, 09.12.2026 dhe 10.12.2026.

Ambasada e Suedisë në RMVKulturë lajmeMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Teatër shfaqje teatrore