Të hënën më (25 nëntor) në Teatrin Popullor në Shkup, me fillim nga ora 17:00, do të mbahet edicioni i 25-të i Festivalit të Këngëve për Fëmijë “Ylberi”, njofton Portalb.mk.
Në këtë edicion do të paraqiten 18 këngëtarë nga vende të ndryshme si nga Maqedonia e Veriut por gjithashtu skenën do ta zbukurojnë edhe fëmijë nga vendet e rajonit me këngë premier veçmas për festivalin “Ylberi”.
Si çdoherë festivali “Ylberi”, do të mbledhë këngëtarët dhe artdashësit e vegjël të këngës.
Adem Ymeri, drejtor i festivalit “Ylberi” për Portalb.mk tha se misioni i festivalit “Ylberi”, është që t’i stimulojnë, veçanërisht të vegjëlit të moshës 5-6 vjeçare, që të regjistrohen në shkollën e ulët të muzikës.
“Këngët e festivalit, kompozimet, tekstet janë nga shkrimtarë dhe kompozitorë të njohur, dhe janë gjithmonë premierë për festivalin “Ylberi”. Këtë vit kemi risi katër prezantime të reja nga Shqipëria. Pjesë e skenës do të jetë edhe baleti profesional i shkollës “Ilija Nikollovski Lui”, dhe në fund do të ketë edhe një pikë muzikore Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” Shkup”, tha Ymeri.
Mbështetës i këtij festivali është Ministria e Kulturës së RMV-së.