Në një kohë kur aktorët nga Maqedonia e Veriut dhe Ballkani gjithnjë e më shumë po depërtojnë në produksione ndërkombëtare, emri i Ubejd Muratit po shfaqet si një prej zërave të rinj që po ndërton rrugën e tij me pasion, disiplinë dhe ambicie të qartë. Me përvojë në projekte vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë rolin në filmin “Boxing Kid” nën regjinë e Louis Mandylor, Murati në një bisedë për Portalb.mk foli për sfidat e aktorëve të rinj, stereotipat në industri, rëndësinë e gjuhës dhe kontakteve, si dhe mungesën e infrastrukturës filmike në vend.
Portalb.mk: Aktorët nga Maqedonia e Veriut dhe Ballkani po shfaqen gjithnjë e më shumë në produksione ndërkombëtare. Sa e vështirë është realisht të depërtosh në këtë treg dhe cilat janë pengesat kryesore?
Ubejd Murati: Është e vështirë por jo e pamundur, dhe ky dallim është thelbësor. Kur mora rolin në Boxing Kid, në regji të Louis Mandylor me aktorë si Brian Krause dhe Peter Shinkoda, kuptova se pengesat kryesore nuk janë ato që mendojmë zakonisht. Nuk është talenti, sepse në Ballkan kemi talent të jashtëzakonshëm. Unë mendoj se janë tri gjëra: aksesi, gjuha, dhe mentaliteti. Aksesi sepse industria ndërkombëtare funksionon mbi rrjete që ne nuk i kemi ende të ndërtuara. Gjuha sepse anglishtja e lartë profesionale është kusht minimal, jo avantazh. Dhe mentaliteti sepse duhet të mendosh si aktor ndërkombëtar para se të bëhesh i tillë.
Portalb.mk: Shpesh thuhet se talenti nuk mjafton për sukses në aktrim. Në përvojën tënde, sa ndikojnë puna, kontaktet dhe mundësitë krahas talentit?
Ubejd Murati: Unë shpesh e them se talenti është bileta për të hyrë në sallë, por nuk të garanton ulëse. Unë e kam kuptuar këtë shumë herët. Pasioni për aktrimin u shfaqë tek unë që nga mosha 12 vjeçare, çë nga ajo moshë kam filluar të lexoj për Method Acting, Stanislavskin, Meisner Technique, jo sepse dikush më detyroi, por sepse e doja me gjithë qenien time. Por leximi dhe ëndërimi vetëm nuk të çon askund nëse nuk vepron. Puna e vazhdueshme, disiplina e përditshme, dhe guximi për të dalë para kamerës janë ato që të dallojnë. Kontaktet vijnë si rezultat i kësaj pune. Pra formula për mua është: talent plus punë obsesive plus guxim për të kapur mundësinë kur të paraqitet.
Portalb.mk: A vazhdojnë aktorët nga rajoni të përballen me role stereotipike dhe sa e vështirë është të dalësh nga këto korniza?
Ubejd Murati: Stereotipat ekzistojnë, do të ishte josinqeritet të thoja ndryshe. Industria ndërkombëtare shpesh na sheh nëpërmjet një filtri të ngushtë, duke na ofruar role që nuk e pasqyrojnë gjithë spektrin njerëzor që ne jemi të aftë ta luajmë. Unë vetë e kam përjetuar këtë, rolin që mora në Boxing Kid ishte antagonisti kryesor. Por ajo çfarë më interesoi nuk ishte etiketa e rolit, ishte thellësia e tij. Kalova kohë të konsiderueshme duke e ndërtuar atë personazh nga brenda, duke kuptuar motivimet e tij, kontradiktat, botën e tij të brendshme. Sepse një antagonist i vërtetë nuk është i keq sepse është i keq, ai është njeri që beson se ka të drejtë. Dhe kur e arrin atë nivel të personazhit, nuk luan më stereotipin por e tejkalon atë. Zgjidhja nuk është kurrë të refuzosh rolin është të sjellësh diçka aq të fuqishme brenda tij sa dhe publiku të shohin ndryshe. Dhe gradualisht, me çdo rol, ndërton një imazh që flet vetë.
Portalb.mk: Kur punon në projekte ndërkombëtare, cilat janë dallimet më të mëdha që vëren krahasuar me mënyrën se si funksionon industria e filmit te ne?
Ubejd Murati: Sinqerisht dallimet nuk janë aq të mëdha sa mendojnë shumë njerëz, dhe e them këtë nga përvoja direkte. Kur isha pjesë e filmit ‘Të Gjithë E Thërrasin Rexhën’ të regjisorit Ibër Deari, edhe pse roli im nuk ishte kryesor, kalova shumë kohë duke vëzhguar me kureshtje të madhe se si punojnë aktorët me njëri-tjetrin, si ndërton regjisori marrëdhënien me aktorin, si kordinohet kinematografia me ndriçimin. Ishte e bukur. Dhe ajo çfarë pashë ishte po thuaj se i njëjti pasion, i njëjti zjarr, i njëjti shpirt artistik që kam parë edhe në Boxing Kid me regjisorin amerikan Louis Mandylor. Ne kemi pasion. Kemi histori për të treguar. Kemi shpirtin e artistit. Pra Në aspektin e xhirimit si proces nuk do të ndryshoja asgjë. Ajo që mungon tek ne nuk është talenti apo dedikimi por është infrastruktura. Agjencionet, financimi, rrjetet e shpërndarjes. Këto janë elementet që i bëjnë industritë e mëdha të funksionojnë, dhe këtu kemi ende punë për të bërë.
Portalb.mk: Shpesh thuhet se financimi mbetet problematik për projektet filmike, a po investohet mjaftueshëm për të krijuar një industri të qëndrueshme filmi në vend?
Ubejd Murati: Duhet të jem i sinqertë, nuk jam prodhues dhe nuk pretendoj të kem njohuri të thella në këtë fushë. Por si aktor, nga përvoja ime në set dhe nga bisedat me aktorë dhe artistë të tjerë të rajonit, kam vënë re se investimi në film dhe në art në përgjithësi është i pamjaftueshëm. Kemi artistë të jashtëzakonshëm këtu, njerëz me zë të fortë, me histori të rëndësishme për të treguar por shumë prej tyre nuk mund ta çojnë vizionin e tyre në realitet thjesht sepse nuk kanë mbështetjen e nevojshme. Mendoj se Financimi është pengesa kryesore. Shteti duhet të investojë më shumë dhe më vazhdimisht në kulturë dhe kinematografi jo si luks, por si domosdoshmëri. Dhe paralelisht, duhet të ndërtojmë bashkëproduksione rajonale dhe ndërkombëtare, dhe platforma që i çojnë këto histori përtej kufijve tanë. Sepse historitë tona meritojnë të dëgjohen.
Portalb.mk: Duke parë zhvillimet e fundit në kinematografi, a mendon se aktorët e rinj sot kanë më shumë mundësi se brezat para tyre, apo konkurrenca është bërë aq e madhe sa suksesi është po aq i vështirë?
Ubejd Murati: Mendoj se sot aktorët e rinj kanë më shumë akses dhe më shumë mundësi për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet. Unë vetë jam shembull i gjallë i kësaj, që nga mosha 13 vjeçare fillova të postoja video në TikTok duke luajtur monologje dhe duke eksploruar aktrimin në mënyrën time. Sot kam 260 mijë ndjekës. Kjo nuk ekzistonte për brezat para nesh. Sot ke mundësinë të tregosh talentin tënd, zërin tënd, artin tënd pa agjenci, pa studio, pa ndërmjetës. Por nga ana tjetër, konkurrenca është reale. Ka shumë njerëz të talentuar që janë të gatshëm të japin gjithçka. Prandaj unë mendoj se duhet vërtet ta duash atë që bën. Duhet të punosh me gjithçka që ke. Duhet të ëndërrosh lart dhe të qëndrosh optimist edhe kur rruga është e vështirë. Unë gjithmonë kam besuar se kam një shans të vërtetë dhe pikërisht ky besim është ai që më ka sjellë deri këtu, te rolet që kam marrë dhe te mundësitë që po hapen para meje. Nëse do të përmblidhja gjithçka në dy fjalë, ato do të ishin: Carpe Diem.