Rufat Shabani dhe Bilall Shabani gna Tetova kanë marrë pjesë në “The Best Pizza Awards 2026” në Milano, duke u prezantuar si ndër piceritë e vetme shqiptare në këtë event ndërkombëtar, ku morën pjesë shefa dhe picajolë të njohur nga e gjithë bota, shkruan Portalb.mk.
Ata dy për Portalb.mk e vlerësuan këtë pjesëmarrje si një nga momentet më të rëndësishme në rrugëtimin e tyre profesional.
“Për ne si si Brumarte, pjesëmarrja në ‘The Best Pizza Awards 2026’ në Milano ka qenë një moment shumë i rëndësishëm. Ky event nuk është vetëm garë apo titull, por një platformë ku takohen kulturat, filozofitë dhe teknikat më të avancuara të botës së pizzës”, deklaruan nga atje.
Ata theksuan se në Milano patën mundësi të jenë pranë emrave të mëdhenj të industrisë, si Gabriele Bonci, Franco Pepe dhe Francesco Martucci, duke shkëmbyer përvoja për brumin, fermentimin e gjatë, përzgjedhjen e ingredientëve dhe respektin ndaj produktit final.
“Çdo detaj ka rëndësi, nga uji dhe mielli, deri te mënyra e pjekjes dhe shërbimit. Suksesi nuk vjen vetëm nga teknika, por nga përkushtimi i përditshëm, disiplina dhe dashuria për zanatin”, thanë Rufat dhe Bilall Shabani.
Nga atje theksuan se kjo pjesëmarrje ka rëndësi të veçantë, pasi përfaqëson jo vetëm brandin e tyre, por edhe Tetovën, Maqedoninë e Veriut dhe gastronominë shqiptare në skenën ndërkombëtare.
“Kemi marrë reagime shumë pozitive nga komuniteti ndërkombëtar i picës, sidomos për qasjen tonë mes traditës italiane dhe interpretimit modern. Për ne, kjo është vetëm fillimi”, thanë ata.