Nesër fillon Kolonia Ndërkombëtare e Artit “Gostivari 2026”, marrin pjesë rreth 30 artistë

Nesër në Gostivar do të fillojë edicioni i 21-të i Kolonisë Ndërkombëtare të Artit “DRAUDACUM 2026”, një aktivitet tradicional kulturor që do të zhvillohet për pesë ditë në Qendrën për Kulturë Gostivar, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Shoqatës “DRAUDACUM”, Arjan Rufati, për Portalb.mk theksoi se këtë vit është bërë përpjekje që në koloni të përfshihen sa më shumë artistë të rinj.

“Këtë vit jemi përpjekur të përfshijmë sa më shumë artistë të rinj, duke u dhënë atyre mundësinë të njihen dhe të shkëmbejnë përvoja me artistë të afirmuar, gjë që për shumicën prej tyre, si pjesëmarrës nga jashtë vendit, është një mundësi e rrallë. Në këtë edicion marrin pjesë rreth 30 artistë të konfirmuar: 10 nga jashtë shtetit (Austri, Kroaci, Turqi, Kosovë, Shqipëri, Greqi, Itali dhe Serbi), 10 nga qytete të ndryshme të Maqedonisë dhe 10 artistë gostivaras. Aktivitetet do të zhvillohen në Qendrën për Kulturë Gostivar dhe në hapësirat e Shoqatës”, tha Rufati.

Ai shtoi se në kolonitë artistike, artistët nuk kufizohen nga tema të paracaktuara; secili pjesëmarrës sjell stilin dhe qasjen e vet krijuese.

“Shoqata “DRAUDACUM” është nismëtare e shumë aktiviteteve të artit figurativ, jo vetëm në Gostivar, por edhe më gjerë. Ky aktivitet u mundëson artistëve figurativë të krijojnë lidhje, të shkëmbejnë përvoja dhe të promovojnë krijimtarinë e tyre. Kolonia artistike jo vetëm që mban gjallë jetën kulturore, por edhe kontribuon në promovimin e qytetit dhe shtetit tonë. Çdo artist i huaj, përmes pjesëmarrjes, njihet më afër me kulturën, traditën dhe vlerat e vendit tonë”, deklaroi Rufati.

Afishja e Kolonisë Ndërkombëtare të Artit “DRAUDACUM 2026”. Foto: Arjan Rufati
Art - Vepra artistikeEkspozitëKultura shqiptareKulturë lajmeQendra për Kulturë Gostivar