Të fala Evropës

Në shkencën politike, ndarjet klasike që strukturojnë sistemet partiake si pozitë/opozitë, e djathtë/e majtë, konservator/liberal, i pasur/i varfër, maqedonas/shqiptar, laik/fetar, kriminel/i ndershëm, i korruptuar/i pakorruptuar, shërbejnë zakonisht si boshte identitare dhe ideologjike të pavarura nga njëra-tjetra.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut bashkëkohase vërehet, përkundrazi, një fenomen tipik reduksionist ku të gjitha këto ndarje, në vend që të funksionojnë si linja autonome, më shumë politike se sa filozofike, absorbohen brenda një metandarjeje të vetme, pothuajse gjithëpërfshirëse, në mes të qenurit Për apo Kundër integrimit evropian dhe vlerave që ai simbolizon vet oksidenti.

Kjo do të thotë se identiteti politik në vend, qoftë institucional apo qytetaresk, nuk përcaktohet më nga pozicionimi në boshtet tradicionale, por nga një kod atipik binar i vetëm. Ky vend i çmendur rrëzon dijen politike, edhe atë pa hezitim, ende pa u mësuar se si ta përdor atë!

Te ne mund të jesh opozitar, i djathtë, dhe të pranosh paradigmën evropiane dhe mund të jesh në pushtet, i majtë, dhe ta kundërshtosh atë, gjë që dëshmon se ky kod atipik binat i ri ndarës është i pavarur nga kategorizimet klasike ideologjike. Në fund të fundit, çdo ndarje tjetër tradicionale funksionon vetëm si nën-kategori që riprodhon dhe ushqen të njëjtën dikotomi themelore, atë të kampit “Pro” dhe kampit “Kundër” Evropës.

Kjo simptomë e reduktimit binar ka shpërthyer në një farë kuptimi si një Çernobil i dytë politik, një ngjarje me epiqendër të lokalizuar brenda kufijve ku ekziston juridiksioni administrativ i Maqedonisë së Veriut, por me pasoja që këta kufij nuk arrijnë t’i mbajnë të izoluara. Retë e këtij rrezatimi ideologjik po depërtojnë edhe përtej territorit shtetëror, duke kontaminuar diskursin politik të vendeve fqinje e të rajonit më gjerë.

Mbeturinat toksike të kësaj matrice binare, të këtij big-bengu politik, të përcjella përmes një efekti mimetizmi rajonal, kanë filluar të infektojnë edhe debatin publik të shteteve të tjera, ku tashmë ekpertiza e brendshme po depërton rajonalisht e ndërkombëtarisht, duke gjykar e klasifikuar sipas të njëjtit kod të thjeshtëzuar, atë se kush është pro dhe kush kundër BE-së.

E nuk thuhet kot se ai që dështon të jetë politikan i mirë apo qoftë edhe qytetar i mirë në shtëpinë e vet, merret me oborrin e komshiut. Mbase kjo është e vetmja kulturë tradicionale e mbijetuar brez pas brezi.

Sidoqoftë, Bashkimi Evropian nuk është thjesht një referentcë apo etiketë identitare, Bashkimi Evropian është një organizatë politike sui generis në formën e vet, me arkitekturë institucionale, rend juridik dhe kritere të qarta politike anëtarësimi (shembull kriteret e Kopenhagës). Prandaj, ajo çka i mungon vendit nuk është më deklarim identitar “pro” apo “kundër”, por krijimi i një sistemi politik të mirëfilltë, apo një ndërtim institucional që prek dhe përafrohet me atë kulturë politike (pan)evropiane, e jo thjesht që e imiton në nivel simbolik.

Kjo është pikërisht arsyeja pse simptoma e përshkruar më sipër funksionon si patologji sepse binomi “Pro e Kundër BE” mbetet një performancë identitare, e zbrazët nga përmbajtja institucionale, ndërsa “evropianizimi” i vërtetë, ai i dijes politike si proces, atë që na lanë trashëgimi edhe Radaelli dhe Featherstone, kërkon transformim të praktikave, jo thjesht të retorikës. Evropa nuk ka nevojë për heronjë Ballkanik, Evropa nuk ka nevojë për të qenë pro apo kundër saj, përtej sekuencave të moralizmit. Kjo duket qesharake përpara Evropës!

Rrezatimi “çernobilas” përhapet aq lehtë pikërisht sepse s’ka “mburojë mbrojtëse” institucionale. Mungesa e një strukture të vërtetë politik e lë vendin të hapur ndaj infektimit masiv dhe e vëndos vendin në një karantinë kolektive, në vend që ta kurojë atë me politika të strukturuara.

Në fakt, por dhe fatkeqësisht, po të jemi kaq të pandryshuar e pa stukturë sa sot, do të jenë aq pas edhe pasardhësit tanë… sepse politika nuk është retorikë, por kulturë që trashëgohet!

Na Shkruani