“Talir 2” në duart e Prokurorisë së Lartë, pritet vendimi për pronën e VMRO-DPMNE-së

Prokuroria e Lartë në Shkup tani është në radhë, përkatësisht duhet të japë mendim për ankesën që e ka parashtruar Prokuroria e Shkupit ndaj aktgjykimit lirues për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, në lëndën “Talir 2”, e cila lidhet me pronën partiake të VMRO-DPMNE-së në pushtet. Nga Gjykata e Apelit në Shkup konfirmuan për Slloboden Peçat se lënda ka arritur tek ata dhe se tashmë e kanë dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike, e cila duhet të japë mendim, në përputhje me procedurat ligjore, transmeton Portalb.mk.

Sipas Ligjit për Procedurën Penale, Prokurori i Lartë Publik brenda tetë ditësh duhet t’i shqyrtojë shkresat e lëndës dhe të dorëzojë mendimin e tij nëse ankesa e kolegut të tij nga prokuroria më e ulët ka bazë apo jo. Më pas, shkresat e lëndës kthehen në Gjykatën e Apelit dhe caktohet seancë, e cila mund të jetë publike me kërkesë të palëve, pas së cilës Apeli do të marrë vendimin përfundimtar.

Meqë bëhet fjalë për lëndë që është në prag të vjetërsimit, përkatësisht afati skadon më 31 gusht, nga Gjykata e Apelit thonë se do të punohet edhe gjatë pushimeve dhe se për këtë lëndë do të veprohet me urgjencë. Teorikisht, vendimi mund të merret deri në fund të gushtit.

Javën e kaluar Prokuroria njoftoi se ka parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit lirues për Gruevskin, ndërsa sipas informacioneve nga Gjykata Penale, prona partiake mbetet e ngrirë, pasi aktgjykimi ende nuk është i formës së prerë.

Nga Prokuroria në këtë fazë të procedurës nuk komentojnë për konfiskimin.

Opsioni më i favorshëm për partinë në pushtet është që lënda të vjetërsohet. Më 14 korrik, Gruevski mori aktgjykim lirues, ndërsa gjyqtarja Daniella Aleksovska-Stojanovska e refuzoi edhe konfiskimin e selisë së VMRO-DPMNE-së. Për më shumë se një orë, ajo shpjegoi pse në vitin 2022 e kishte dënuar Gruevskin me gjashtë vjet burg, ndërsa tani vendimi ishte lirues.

Lënda “Talir 2” u rihap pas vendimit të Gjykatës së Apelit të janarit 2024, kur aktgjykimi i shkallës së parë u anulua për shkak të ndryshimeve të Kodit Penal. Në gjykimin e parë, në vitin 2022, Gruevski ishte dënuar me gjashtë vjet burg me aktgjykim jo të formës së prerë, por procedura u kthye në rigjykim.

Selinë e VMRO-DPMNE-së e ndërtoi kompania e ndërtimit “Beton”, e cila tashmë ka falimentuar. Në atë periudhë, kompania fitonte tenderë, ndërsa, në kundërshtim me ligjin, VMRO-DPMNE kishte përfituar më shumë se tetë milionë euro.

Ndryshe, Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg pas aktgjykimit të formës së prerë në rastin “Tanku”. Gruevskit iu dha azil në Hungari bazuar në pretendimet se ishte i persekutuar politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. Në Hungari ai arriti në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre vende të Ballkanit me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019 gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. Pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer të arratisurin në atdheun e tij. 

Lënda – Rasti “Talir”Nikolla GruevskiProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMVVMRO-DPMNE