“Talir 2” përplasi kryeprokurorin Nenad Saveski dhe ish-prokuroren Lençe Ristoska

Prokuroria Publike do të vendosë nëse do të ankohet ndaj aktgjykimit lirues në rastin “Talir 2”, pasi të pranojë dhe analizojë aktgjykimin e përgatitur me shkrim dhe arsyetimin e tij, transmeton Portalb.mk

Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski tha se, sikurse në çdo rast tjetër, fillimisht do të shqyrtohet i gjithë arsyetimi i vendimit gjyqësor.

“Nuk mund t’ju përgjigjem tani, sepse, sikurse në çdo lëndë tjetër, edhe në këtë rast do të pritet versioni me shkrim i aktgjykimit. I gjithë arsyetimi do të analizohet dhe më pas do të merret vendim nëse gjykata e ka bindur prokurorinë me vendimin dhe arsyetimin e saj apo jo”, tha Saveski.

Ai u ndal edhe te kritikat e partive politike se tërheqja e autorizimeve të prokurores Lençe Ristoska ka ndikuar në rezultatin e rastit “Talir 2”, duke vlerësuar se pretendime të tilla nuk përputhen me faktet.

Sipas tij, autorizimet e tërhequra kanë të bëjnë me veprimet e prokurorëve në lëndë për të cilat nuk kanë pasur kompetencë brenda prokurorisë së tyre, ndërsa Ristoska në rastin konkret ka qenë prokurore kompetente në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit.

“Pikërisht kjo lëndë, nëse ajo nuk do të kishte dhënë dorëheqje, do të ishte në kompetencën e saj për të vepruar. Në këtë rast, tërheqja ime e autorizimeve në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohej se ka pasur pasojë që asaj t’i merrej lënda. Nëse do të kishte qëndruar, ajo do të punonte në këtë rast”, theksoi Saveski.

Ai shtoi se publiku duhet ta dëgjojë edhe, siç u shpreh ai, “këtë anë të së vërtetës”, duke theksuar se vendimi i prokurores Ristoska për të dhënë dorëheqje ka qenë vendim i saj personal.

Menjëherë pasi prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski, deklaroi sot se nëse Lençe Ristoska nuk do të kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i prokurores, ajo do të vazhdonte ta drejtonte lëndën “Talir 2” për donacionin e kontestuar nga “Beton” për VMRO-DPMNE-në, ajo reagoi duke thënë se ai po gënjen.

Më 31 mars, para fjalëve përfundimtare të Ristoskës, asaj iu mor lënda “Talir 2” për ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së, “Pallati i Bardhë”, dhe iu dha një prokurori tjetër për ta udhëhequr. Ristoska më 2 prill dha dorëheqje nga funksioni i prokurores publike, e cila më 8 prill u konfirmua nga Këshilli i Prokurorëve Publikë.

“Pohimi i prokurorit publik të shtetit, Saveski, se lënda ‘Talir 2’ do të ishte në kompetencën time për veprim nëse nuk do të kisha dhënë dorëheqje, nuk është i saktë”, u përgjigj Ristoska.

“Si prokurore për lidhje, në përputhje me nenin 5 të Rregullores për propozimin dhe dërgimin e prokurorit publik për lidhje të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Eurodrejtësia, në parim mund të veproja në lëndë të regjistruara dhe në kompetencë të Zyrës së Lidhjes, ndërsa përjashtimisht, në bazë të vendimit të prokurorit publik të shtetit, edhe në lëndë për të cilat kam vepruar më herët. Lënda ‘Talir 2’ nuk është lëndë në kompetencë të Zyrës së Lidhjes, ndërsa unë në të kam vepruar pikërisht mbi këtë përjashtim, bazuar në vendimin e prokurorit publik të shtetit. Me tërheqjen e këtij autorizimi, u hoq edhe baza ligjore mbi të cilën veproja në këtë lëndë. Këtë informacion ia kam komunikuar personalisht prokurorit Saveski, në një takim para se të dorëzoja dorëheqjen. E kam njoftuar gjithashtu se nëse do t’i tërhiqte autorizimet për lëndët në të cilat veproja, do të pasonte dorëheqja ime, ndërsa i shpjegova edhe arsyet për këtë vendim”, e kundërshtoi Ristoska deklaratën e Saveskit.

Ajo shton se është e padiskutueshme që dorëheqja e saj ka qenë vendim personal, por përsëri thekson se ky vendim ishte pasojë e heqjes së bazës që i mundësonte të punonte në këto lëndë.

Ditë më parë, Gjykatësja Daniela Aleksovska-Stojanovska e ka shpallur aktgjykim lirues në rigjykimin për lëndën “Talir 2”, që ka të bëjë me ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së. Fillimisht, LSDM-ja i shpëtoi pjesërisht ish-kryeministrin dhe ish-liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe Kiril Bozhinovskin, të cilët fillimisht ishin dënuar me gjashtë vite burg dhe me dënim me kusht, përmes ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat e liruan plotësisht Bozhinovskin nga përgjegjësia penale.

Të gjitha lajmet lidhur me këto raste i gjeni KËTU.

Lënda – Rasti “Talir”Nenad SaveskiProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMV