Pak ditë para fillimit, Sunny Hill Festival e ka zbuluar agjendën e plotë, oraret dhe skenat ku të performojnë artistët e huaj dhe vendas më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Prishtinë, raporton Portalb.mk.
Natën e parë (31 korrik) nga emrat e mëdhenj ndërkombëtar do të performojë Ketty Perry ndërsa nga ata vendas Dhurata Dora dhe të tjerë.
Natën e dytë nga emrat e mëdhenj do të performojë Lewis Capaldi ndërsa nga ata vendas Lumi B, Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son dhe të tjerë.
Në natën e tretë do të jenë Martin Garrix, Adam Port&Rampa dhe të tjerë.
Sunny Hill Festival është festivali më i madh muzikor në Kosovë dhe një nga festivalet kryesore të muzikës në Evropën Juglindore.
I themeluar nga familja Lipa në vitin 2018, festivali është përzgjedhur tri herë në listën e 10 festivaleve më të mira evropiane të kategorisë së mesme, ndërsa promovohet ndërkombëtarisht nga fituesja e trefishtë e çmimit Grammy, Dua Lipa.
Gjatë viteve, ai e ka vendosur Prishtinën në hartën ndërkombëtare të festivaleve si një destinacion kulturor që duhet vizituar, në një vend që e do muzikën dhe di të festojë.
Mediat ndërkombëtare e kanë krahasuar Sunny Hill-in me ndikimin që Coachella pati për një qytet të vogël në shkretëtirë.
Në edicionet e kaluara kanë performuar artistë si Dua Lipa, Miley Cyrus, Calvin Harris, Shawn Mendes, J Balvin, Anyma, Stormzy, Peggy Gou, Mochakk, Black Coffee, Burna Boy, Fatboy Slim, Martin Garrix, Hardwell dhe shumë të tjerë.
Sunny Hill është vlerësuar në tri cikle të European Festival Awards.
Biletat për tri ditë janë ende në shitje përmes Fever dhe kanaleve zyrtare të Sunny Hill Festival.
Sunny Hill Festival është ngjarje e hapur për personat 16 vjeç e lart.