Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit do të mbahet më 22.10.2026 në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi, në kuadër të përmbylljes së kryesimit malazez të këtij procesi. Sipas programit paraprak të publikuar nga Qeveria malazeze, liderët do të fillojnë të arrijnë në orën 09:30, ndërsa deklaratat e tyre para mediave do të jenë të hapura për të gjithë gazetarët e akredituar, transmeton Kallxo.com.
Samiti pritet të nisë në orën 10:20, ndërsa fjalimet hapëse do të transmetohen drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të Qeverisë së Malit të Zi në YouTube.
Takimi i liderëve do të mbahet i mbyllur për media.
Në orën 13:00 është planifikuar konferenca e përbashkët për media e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe kancelarit gjerman, Friedrich Merz. Konferenca do të mbahet jashtë vilës në Queen’s Beach.
Në Samit, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
“Në samit do të diskutohet për ndërlidhjen ekonomike të rajonit, sigurinë dhe përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian. Para fillimit të ngjarjes janë paraparë deklarata të shkurtra për mediat, ndërsa në sesionin kryesor, Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, do të shpalosë mundësitë dhe qëndrimet e Maqedonisë lidhur me ekonominë, sigurinë, integrimin evropian dhe konkurrueshmërinë e rajonit. Samiti shënon përmbylljen e kryesimit të Malit të Zi me Procesin e Berlinit. Përveç liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të do të marrë pjesë edhe kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz, i cili është përkrahës i fuqishëm i përparimit të rajonit dhe integrimit të tij në Bashkimin Evropian”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Fotografia zyrtare e përbashkët e pjesëmarrësve të samitit është planifikuar për orën 13:30, jashtë Villa Miloçer, ku do të kenë qasje fotografët e akredituar.
Fotografitë dhe videot nga ngjarja do të publikohen në llogarinë zyrtare të Qeverisë së Malit të Zi në Flickr.
Ngjarja është një tubim i nivelit të lartë që do të shënojë përmbylljen e kryesimit të Malit të Zi dhe do të mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian dhe organizatave ndërkombëtare.
Mali i Zi është në vijën e parë të zgjerimit të BE-së me synimin që të bëhet anëtari i 28-të i bllokut më 2028.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar përpjekjet reformuese të vendit, duke theksuar se 18 nga 33 kapitujt e negociatave të anëtarësimit janë mbyllur tashmë dhe se “disa të tjerë” pritet të mbyllen brenda këtij muaji.
Procesi i Berlinit u krijua për të shoqëruar rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Por shumë prej vendeve e kanë rrugën të bllokuar për shkak të konflikteve me njëri-tjetrin.
Organizohet prej vitit 2014, me iniciativë të kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, pas një pauze të vendosur nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në proces të zgjerimit të bllokut evropian.
Procesi i Berlinit nuk e ka një strukturë fikse, pra nuk e ka një mekanizëm qendror koordinues, dhe mbahet në vende të ndryshme.
Ndër vite, takimet janë mbajtur në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan.
Nuk ka as mekanizëm ndëshkues.
Përveç Qeverive të vendeve të Ballkanit – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në takimet e Procesit të Berlinit marrin pjesë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale.