Sunny Hill Festival është shndërruar në një nga atraksionet më tërheqëse verore në Evropën Juglindore, duke sjellë adhurues të muzikës nga gati 60 shtete në Prishtinë për edicionin e vitit 2026, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht, transmeton Portalb.mk.
Edicioni i këtij viti do të kryesohet nga Katy Perry, Martin Garrix dhe Lewis Capaldi, ndërsa në skenë do të ngjiten edhe EsDeeKid, Seth Troxler, PAWSA, Dhurata Dora, Adam Port & Rampa, Blanco, GJIN, Ledri Vula, MC Kresha, Manifest dhe Carlita, së bashku me një program të gjerë artistësh ndërkombëtarë, rajonalë dhe vendorë.
I themeluar në vitin 2018 nga Dukagjin “Dugi” Lipa, festivali promovohet ndërkombëtarisht nga fituesja e trefishtë e çmimit Grammy, Dua Lipa.
Në edicionet e kaluara kanë performuar emra si Dua Lipa, Miley Cyrus, Calvin Harris, J Balvin, Shawn Mendes, Stormzy, Burna Boy, Bebe Rexha, DJ Snake, Black Coffee, Peggy Gou, Anyma dhe Hardwell.
Themeluesi i Festivalit Sunny Hill, Dukagjin Lipa thotë se festivali ka qenë gjithmonë më shumë sesa muzikë.
“ Për disa ditë çdo verë, ne e sjellim botën në Kosovë –dhe i gjithë vendi e ndien këtë. Vëmendja që sjell festivali është një ekspozim që asnjë fushatë turistike nuk mund ta blejë, ndërsa vlera që krijohet mbetet në vendin tonë: në ekonominë e vizitorëve, në sektorin kulturor dhe në mundësitë që hapim për të rinjtë. Shtrirja globale dhe teknologjia e Fever do ta bëjnë edhe më të lehtë që fansat nga e gjithë bota të zbulojnë Sunny Hill-in, të sigurojnë biletat dhe të udhëtojnë drejt Prishtinës”, tha Lipa.
Mediat ndërkombëtare e kanë krahasuar Sunny Hill-in me ndikimin që Coachella pati për një qytet të vogël në shkretëtirë.
Gjatë tre ditëve dhe në katër skena, festivali mirëpret mbi 100 mijë vizitorë dhe ka ndihmuar në pozicionimin e Prishtinës si një kryeqytet evropian i lehtë për t’u eksploruar në këmbë, i përballueshëm dhe mikpritës, që shpërblen ata që zgjedhin të udhëtojnë përtej destinacioneve të zakonshme.
Sunny Hill është vlerësuar në tri cikle të European Festival Awards. Në vitin 2022, edicioni i Tiranës u nominua për çmimin “Festivali më i mirë i ri”, ndërsa edicioni i Prishtinës për “Festivali më i mirë i kategorisë së mesme”. Edhe në vitet 2024 dhe 2025 festivali u nominua sërish në kategorinë “Festivali më i mirë i kategorisë së mesme”, përkrah festivaleve si Primavera Sound, Rock Werchter dhe Pohoda.
Fitim ekonomik për Kosovën
Sipas Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, edicioni i vitit 2025 i Sunny Hill gjeneroi rreth 22 milionë euro ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik, me përfitime për sektorët e akomodimit, gastronomisë, transportit, tregtisë dhe bizneseve të tjera lokale. Për këtë ndikim, festivali u nderua me Çmimin për Ndikim Ekonomik 2025 nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Sipas vlerësimeve të vetë Sunny Hill-it për ndikimin më të gjerë të vizitorëve, efekti ekonomik arrin afro 50 milionë euro për edicion. Kjo shifër nuk përfshin vetëm mbajtësit e biletave, por të gjithë grupet që udhëtojnë së bashku. Vizitorët ndërkombëtarë dhe diaspora vijnë me familjarë e miq, mbulojnë vetë shpenzimet e fluturimeve dhe akomodimit, konsumojnë në ekonominë lokale dhe shumë prej tyre qëndrojnë në Kosovë për një javë ose më gjatë.
Gjatë edicionit të vitit 2025, hotelet në Prishtinë ishin praktikisht të mbushura plot, me 99–100% të kapaciteteve të zëna, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës shkalla e zënies ishte rreth 96%.
Për diasporën kosovare, festivali është kthyer gjithashtu në një rikthim të rëndësishëm vjetor në atdhe, duke sjellë vizitorë nga e gjithë bota, shpesh së bashku me miq dhe familjarë që e vizitojnë Kosovën për herë të parë.
Kosova në hartën kulturore botërore
Sunny Hill u themelua me ambicie që shkojnë përtej muzikës: të sjellë artistë ndërkombëtarë në Kosovë dhe ta prezantojë vendin përmes muzikës, kreativitetit, mikpritjes dhe kulturës rinore.
BBC ka raportuar për synimin e festivalit për të ndryshuar perceptimin ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe për të tërhequr artistë që më parë nuk e kishin përfshirë vendin në turnetë e tyre. PopFiltr e ka përshkruar Sunny Hill-in si një festival të krijuar për ta “ngritur një komb”, duke e krahasuar ndikimin e tij me atë që pati Coachella për një qytet në shkretëtirë.
Në vitin 2025, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dha Dua Lipës shtetësinë e Kosovës gjatë festivalit – një moment që u raportua nga media në mbarë botën.
Çdo edicion gjeneron mijëra artikuj në mbi 6.000 media dhe miliarda shikime mediatike, ndërsa mbi 150 gazetarë të akredituar e ndjekin festivalin nga afër.
Raportime janë publikuar nga media si BBC, The Guardian, The New York Times, Vogue, PopFiltr, Rolling Stone, Elle, Billboard, NME, MTV Europe, Cosmopolitan Italy dhe Fox News.
Përveç mediave, artistët kryesorë dhe pjesëmarrësit publikojnë dhjetëra postime dhe storie në rrjetet sociale gjatë çdo edicioni, duke arritur qindra miliona ndjekës në mbarë botën.
Festival që investon në të ardhmen e Kosovës
Sunny Hill Festival funksionon në mbështetje të Sunny Hill Foundation, e cila promovon artin, kulturën dhe arsimin në Kosovë. Fondacioni financon bursa STEM për vajzat e reja dhe ndërton ura bashkëpunimi ndërkombëtar për kantautorë, producentë dhe artistë të rinj kosovarë, duke i lidhur ata me profesionistë dhe rrjete ndërkombëtare.
Gjithashtu, Sunny Hill po investon 7 milionë euro për ta shndërruar zonën e festivalit në park publik, duke krijuar një trashëgimi të përhershme për komunitetin krahas organizimit vjetor të festivalit. Zgjerimi ndërkombëtar përmes partneritetit me Fever pritet ta forcojë edhe më tej këtë mision.
Biletat
Biletat Believer dhe Early Bird për tri ditë janë shitur plotësisht. Biletat Regular dhe VIP për tri ditë janë ende në shitje përmes Fever dhe kanaleve zyrtare të Sunny Hill Festival: www.sunnyhillfestival.com.
Sunny Hill Festival është ngjarje e hapur për personat 16 vjeç e lart.