Sumea Ramadani: Numri i denoncimeve për dhunë në familje nga shqiptarët është shumë i ulët, shteti duhet t’i rrisë investimet për krijimin e strehimoreve

Kërkoni ndihmë dhe mbështetje për dhunën në familje dhe në bazë gjinore, sepse ka njerëz dhe institucione që ekzistojë dhe marrin pagesa për t’ju kryer shërbim dhe mbështetje. Kështu tha në një intervistë për Portalb.mk Sumea Ramadani, ligjëruese në Universitetin Ballkanik në Shkup, në departamentin e psikologjisë, psikoterapisë, psikologe për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore. Ajo tha se shteti duhet t’i rrisë investimet për krijimin e strehimoreve, të sigurojë mbështetje financiare dhe psikologjike, dhe të garantojë ndëshkimin e dhunuesve.

Portalb.mk: Së fundmi mbaruan 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Barazi Gjinore, por sa e rëndësishme është që kjo temë të mbahet gjallë gjithë vitin dhe jo ta kujtojmë vetëm në këto ditë?

Sumea Ramadani: Mbase 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës në Bazë Gjinore nuk është e rastësishme që janë për fund vit, mbase është mesazh i fuqishëm që të përfundohet viti dhe të fillon viti tjetër duke u folur për këtë temë ngaqë kur flitet për një fenomen padyshim rritet probabiliteti për ndërgjegjësim. Këto ditë janë një thirrje e fuqishme për ndërgjegjësim, por për ta luftuar dhunën në mënyrë efektive, duhet të punojmë vazhdimisht gjatë gjithë vitit me kampanja të ndryshme dhe gjuhë të ndryshme. Kjo kërkon edukim të vazhdueshëm, ndërgjegjësim të komunitetit dhe krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm mbështetës për viktimat ngaqë ne të cilët merremi me këtë tematikë e dimë shumë mirë që numri i viktimave nuk rritet ose nuk zvogëlohet mirëpo numri i denoncimit rritet ose zvogëlohet e në këtë mënyrë ne kemi për mision dhe synim informim sa më të tepërt që depërton dhe të shërben si inkurajim në vendin e duhur.

Portalb.mk: Ju punoni me gra viktima të dhunës në familje dhe jo vetëm, cilat janë metodat kryesore të ndihmës psikologjike që përdorni?

Sumea Ramadani: Metodat kryesore për mbështetje psikologjike të grave viktima të dhunës përfshijnë terapinë individuale dhe grupore, teknikat për menaxhimin e stresit dhe traumës, si dhe zhvillimin e aftësive përballuese. Fokusim te rikthimi i vetëbesimit dhe krijimi i një plani të ri për të ardhme më të shëndetshme. Në terapi zhvillojmë qëllime afatshkurta dhe qëllime afatgjata të cilat janë të ndryshme për çdo rast për t’ia mundësuar viktimës së dhunës të fiton besim tek vetja, të del nga cikli i abuzimit dhe të realizon potencialin maksimal.

Portalb.mk: Si e ndihmoni një grua të risocializohet pas përjetimit të dhunës?

Sumea Ramadani: Ndihmojmë gratë të risocializohen përmes mbështetjes emocionale, trajnimeve për zhvillimin e aftësive jetësore dhe profesionale, si dhe krijimit të lidhjeve me rrjete mbështetëse në komunitet. Rëndësi të madhe ka edhe sigurimi i një ambienti të sigurt, pa alarmime dhe pa paragjykime. Ndoshta si shkollë psikoterapie me teknikat e të cilës mbështesim viktimat e dhunës mund të përmendim terapinë Kognitivo- Bihaviorale (CBT), qasjen e narrativës etj.

Portalb.mk: Me çfarë sfidash përballeni kur i trajtoni rastet e tilla?

Sumea Ramadani: Disa nga sfidat kryesore të viktimave përfshijnë mungesën e burimeve financiare, stigmatizimin shoqëror, frikën e grave për të raportuar dhunën dhe mungesën e mbështetjes nga rrethi i tyre familjar apo shoqëror, mungesa e shellter qendrave për strehim, mjetet dhe rrethanat për fuqizim të tyre. Ndërsa sfida e terapistit apo psikologut është mbase akumulimi i një mllefi nga rastet e viktimave ndonjëherë kalimi i empatisë në simpati (të kontekstit psikoterapian) ndjesia e pafuqisë për të ndihmuar dhe ndonjëherë lot të dendur pas përfundimit të seancës.

Portalb.mk: Sa janë gratë të hapura të flasin për dhunën dhe problemet që përjetojnë?

Sumea Ramadani: Shumë gra ndihen të frikësuara ose të turpëruara për të folur, por kur krijohet një mjedis i sigurt dhe mirëbesimi, ato fillojnë të ndajnë historitë e tyre. Është e rëndësishme t’u tregojmë se nuk janë vetëm dhe se kanë mbështetje. Me rëndësi është krijimi i ambientit të besueshëm terapeutik dhe besimi i ndërsjellët.

Portalb.mk: Cilat shërbime psikologjike mendoni se janë të domosdoshme për gratë që kanë përjetuar apo që përjetojnë dhunë?

Sumea Ramadani: Në Maqedoninë e Veriut mbështetja e këshillimit psikologjik është e drejtë fundamentale e garantuar me ligj të gjitha viktimave të dhunës në familje. Ndihma e këshillimit psikologjik përfshin terapi për trajtimin e traumës dhe simptomave post-traumatike, kthim të vetëbesimit, mbështetje për fëmijët e tyre dhe programe të risocializimit. E domosdoshme të dihet që nën ombrellën e Ministrisë për Punë Sociale ekzistojnë rreth 10 organizata të cilat ofrojnë shërbime të tilla falas ku viktima ka të drejtë të mbetet anonime.

Fotografi nga arkivi personal i Sumea Ramadanit. Foto: Sumea Ramadani

Portalb.mk: Na tregoni një histori suksesi me gratë viktima të dhunës e cila tregon ndikimin pozitiv të shërbimeve psikologjike?

Sumea Ramadani: Një grua me nënshtetësi të huaj që ka përjetuar dhunë e gjeti forcën për t’u larguar nga një marrëdhënie abuzive duke kërkuar divorc mirëpo u has me kërcënime nga ana e bashkëshortit abuzues për kujdestarinë e fëmijës së tyre dhe ne nëpërmjet Qendrës për Punë Sociale arritëm kujdestaria e fëmijës t’i mbetet nënës dhe ajo të largohet në shtetin amë të saj me siguri të plotë. Ky rast ishte rast i një shqiptareje mbase për këtë shkak isha më e ndjeshme ngaqë duhet të potencohet se numri i denoncimeve nga shqiptarët është shumë i ulët. Ky rast tregon fuqinë e ndihmës që mund të jepet dhe të suksesit në raste kur ka guxim për denoncim.

Portalb.mk: Në RMV ka mungesë të strehimoreve për gratë viktima të dhunës, dhe në këtë drejtim shoqëria civile përmes projekteve të ndryshme mundohet të del në ndihmë, si e shihni këtë?

Sumea Ramadani: Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm për të plotësuar boshllëqet në sistemin shtetëror sa i përket kësaj tematike por kjo nuk është e mjaftueshme. Shteti duhet të rrit investimet për krijimin e strehimoreve, të sigurojë mbështetje financiare dhe psikologjike, dhe të garantojë ndëshkimin e dhunuesve. Shteti duhet të sigurojë fonde të qëndrueshme për strehimore, të krijojë politika gjithëpërfshirëse për parandalimin e dhunës, dhe të forcojë mbrojtjen ligjore të viktimave. Sistemi ekzistues legjislativ në Republikën e Maqedonisë së Veriut është shumë i pamjaftueshëm në de fakto edhe pse në dejure shteti ynë është nga të parat që ka pranuar Konventën e Stambollit. Vendimi i dhunës familjare dhe viktimave në nivelin e rëndësisë përkatëse është krucial për ministrinë e punëve sociale, ministrinë e drejtësisë dhe ministrisë së punëve të brendshme.

Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për gratë që përjetojnë dhunë?

Sumea Ramadani: Mesazhi për gratë që përjetojnë dhunë: Ju nuk jeni vetëm, e drejtë fundamentale e juaja është të jetoni pa dhunë dhe frikë këtë ua garanton kushtetuta dhe çdo konventë për të drejtat e njeriut. Nuk është turp i juaj që jeni viktimë e abuzimit është turp i abuzuesit që abuzon. Kërkoni ndihmë dhe mbështetje, sepse ka njerëz dhe institucione që ekzistojë dhe marrin pagesa për t’ju kryer shërbim dhe mbështetje. Ju meritoni një jetë të sigurt dhe të dinjitetëshme.

Barazi gjinoreGra të suksesshmeIntervistëKultura shqiptareKulturë lajme