Pasi gjatë ditës së djeshme Parku Kombëtar ‘Mali Sharr’ njoftoi se punonjësit e tyre janë sulmuar nga makinat ratrak të një operatori të paautorizuar që lëvizte në hapsirat e parkut kombëtar, sot ata njoftuan se në llogarinë e tyre kanë arritur 300 mijë denarë nga operatori, për çka thonë se u paguan pa faturë paraprake ose pa kërkesë për pagesë nga ana e institucionit, për çka është njoftuar Sektori për Krim Ekonomik. Operatori Eskimo Freeride mohoi sulmin, ndërkaq Ministria e Brendshme po heton rastin, shkruan Portalb.mk.
Parku Kombëtar raportoi se gjatë kontrolleve të zgjeruara të djeshme në terren në Parkun Kombëtar Mali Sharr, konkretisht në zonën e Kodrës së Diellit, në pronë shtetërore, u konstatuan aktivitetet e skiimit me pesë makina ratrak nga një operator i caktuar, i cili nuk kishte lidhur kontratë ose marrëveshje të përshtatshme me Institucionin Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, siç parashikohet me Vendimin për regjimin e lëvizjes me automjete në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr dhe me Planin e Menaxhimit të parkut.
Si rezultat i kësaj, punonjësit ndërmorën masa për ndalimin e lëvizjes së ratrakëve të operatorëve që nuk përmbushën kushtet ligjore.
“Gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare, punonjësit e Institucionit u penguan nga operatori përmes lëvizjes së ratrakëve, duke pamundësuar kështu zbatimin e detyrave të parashikuara me nenin 112 të Ligjit për mbrojtjen e natyrës. Veprimet jolegjitime të operatorit krijuan rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e punonjësve të Institucionit”, informoi Mali Sharr.
Nga ana tjetër, Eskimo Freeride përmes një kumtese tha njoftimi i Malit Sharr nuk pasqyron gjendjen reale në terren dhe përmban pretendime të pasakta dhe të njëanshme.
“Nuk ka pasur asnjë kërcënim për jetën ose sigurinë e ndonjë personi. Përkundrazi, bëhet fjalë për ndalimin e paligjshëm dhe me detyrim të një operatori maqedonas për skijim ekstrem me ndihmën e ratrakëve, aktivitet që prej vitesh kontribuon në zhvillimin e turizmit në Malin Shar dhe sjell mbi 1,500 turistë çdo vit nga e gjithë bota”, thanë nga Eskimo Freeride.
Ata thonë se në kundërshtim me atë që është shprehur në publikim, operatori ka vepruar sipas shkresës së dorëzuar nga Parku Kombëtar Shar dhe tarifave të tyre zyrtare, bazuar në të cilat, në kërkesë të institucionit, është kryer një pagesë paraprake prej 5,000 eurosh, me arsyetimin se institucioni është vetë-financues dhe nuk ka të ardhura të tjera të rregullta.
“Megjithatë, ratrakët u ndaluan fizikisht për të lëvizur, pa vendim të shkruar paraprak, pa ndalim formal dhe pa zbatuar procedurë të duhur ligjore në vendngjarje, gjë që përbën tejkalim të kompetencave dhe jo veprim ligjor”, thanë nga Eskimo Freeride.
Megjithatë, nga Mali Sharr thonë se në aksionin e djeshëm, personat zyrtarë të institucionit vepruan ekskluzivisht brenda kompetencave të tyre zyrtare, me qëllim kontrollin e zbatimit të ligjeve, mbrojtjen e pasurisë kombëtare të shtetit dhe vlerave natyrore të Malit Sharr.
“Prandaj, ngjarja e pakëndshme ndaj punonjësve të Institucionit Publik, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, përbën sulm ndaj shtetit, rendit juridik dhe ndikon drejtpërdrejt në integritetin e institucionit, si dhe të çdo punonjësi të tij”, thanë nga Mali Sharr.
Ata thanë se një pjesë e personave të pranishëm, të angazhuar nga operatori, hynë në situata konfliktuale me punonjësit e tyre, duke penguar punën e tyre si persona zyrtarë, duke cenuar dinjitetin e tyre personal dhe duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre.
Për shkak të eskalimit të situatës, një person i punësuar në institucion, në orën 09:15, nga vendi i ngjarjes, bëri thirrje për mbështetje policore në numrin 112.
“Pas kërkesës sonë për ndihmë, nuk u ndërmorën masa ndaj kryerësve, as nuk u pengua përdorimi i mëtejshëm i mjeteve. Të pranishmit e braktisën vendin me thirrje dhe fyerje. Për shkak të seriozitetit të ngjarjes, menjëherë pas përfundimit të saj u drejtuam në Stacionin Policor në Tetovë dhe paraqitëm kallëzimin përkatës. Konsiderojmë se ligjshmëria e veprimeve në terren duhet të jetë objekt i një hetimi shtesë dhe të thelluar”, thanë nga Mali Sharr.
Ata shtuan se gjatë dhënies së deklaratës në SPB Tetovë, në orën 13:26, në llogarinë e IPPK Mali Sharr mbërriti një pagesë prej 300.000 denarësh nga restoranti “Arena”, me qëllim të shënuar të pagesës: “Avans për kompensim për ushtrimin e veprimtarisë me ratrak në rrugë të regjistruar”.
“Restoranti “Arena” nuk është operator dhe me të IPPK Mali Sharr nuk ka kontratë për ushtrimin e kësaj veprimtarie dhe nuk mund ta ushtrojë veprimtarinë pasi nuk posedon licencat përkatëse për turizëm hyrës. Mjetet janë paguar pa faturë paraprake ose pa kërkesë për pagesë nga ana e institucionit dhe do të kthehen në ditën e parë të ardhshme të punës. Për rastin është njoftuar edhe Sektori për Krim Ekonomik”, thanë nga Mali sharr.
Në ndërkohë, Sektori për Punë të Brendshme Tetovë po punon për zbardhjen e rastit në Kodrën e Diellit.
“Sipas denoncimit, konflikti ka ndodhur rreth orës 08:30 kur punonjës të Shërbimit të Rojtarëve të Parkut Kombëtar “Mali Sharr” kanë tentuar të ndalojnë lëvizjen e makinave të dëborës (ratrakë) të një operatori privat, duke u thirrur në mungesën e dokumentacionit përkatës për punë në zonën e mbrojtur. Një përfaqësues i hotelit “Arena” ka denoncuar se janë penguar pa bazë në kryerjen e veprimtarisë dhe se u është kufizuar lëvizja pa urdhër me shkrim. Nga ana tjetër, udhëheqësia e PK “Mali Sharr” ka denoncuar vepër penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, gjegjësisht se disa persona me ratrakë kanë tentuar të shtypin punonjësit e parkut, me ç’rast një person (rojtar) është goditur me pajisjen mekanike dhe ka pësuar lëndime”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Është denoncuar edhe sjellje e supozuar e papërshtatshme e një zyrtari policor në vendngjarje, për çka masa po ndërmerr Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale. SPB Tetovë po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.