Sulm i dyshuar kibernetik goditi frigoriferët e dyqaneve në disa vende evropiane

Dhjetëra supermarkete në gjashtë vende evropiane u goditën nga një sulm i dyshuar kibernetik, i cili shkaktoi probleme në funksionimin e frigoriferëve dhe ngrirësve të tyre, transmeton  Radio Evropa e Lirë.

Rreth 40 supermarkete të rrjetit Delhaize në Belgjikë dhe Luksemburg u prekën nga incidenti, si dhe një numër më i vogël dyqanesh në Suedi, Irlandë, Holandë dhe Estoni.

Kompania belge, Sabcobel, e cila prodhon disa prej pajisjeve të prekura, tha se sistemet e shkrirjes së akullit në frigoriferë ishin aktivizuar nga distanca, duke shkaktuar rritjen e temperaturës brenda tyre.

Besohet se e njëjta metodë ishte përdorur edhe gjatë një incidenti muajin e kaluar, që preku qindra supermarkete në Francë.

Sipas raportimeve të mediave lokale, ushqime në vlerë prej miliona eurosh është dashur të hidhen për shkak të prishjes.

Drejtori ekzekutiv i Sabcobel-it, Stephan Moelans, kompania e të cilit menaxhon sistemet e ftohjes në rrjetin Delhaize, i tha agjencisë belge të lajmeve Belga se bëhet fjalë për një sulm kibernetik.

Ai tha se kompania kishte punuar gjatë gjithë natës dhe mëngjesit për t’i shkëputur pajisjet e prekura nga rrjeti.

Moelans shpjegoi se, pas sulmit në Francë në fillim të tetorit, kompania kishte nisur përpjekjet për t’i mbrojtur frigoriferët e klientëve nga kjo dobësi e sigurisë.

Megjithatë, sipas tij, zgjidhja kërkon ndërhyrje fizike në pajisje dhe jo vetëm përditësime të programeve kompjuterike.

“Zgjidhja më e thjeshtë është që frigoriferët të menaxhohen përmes një lidhjeje të sigurt interneti. Shumica e klientëve tanë kaluan në këtë mënyrë pas sulmit në Francë”, shtoi ai.

Ende nuk dihet se kush qëndron pas sulmit të dyshuar.

Temperatura deri në 50 gradë, dëme të mëdha në supermarkete

Temperatura e ngrirësve në disa dyqane në Evropë raportohet se është rritur deri në 50 gradë Celsius.

Agjencitë kombëtare të sigurisë kibernetike në Belgjikë dhe Suedi thanë se po e monitorojnë incidentin.

Një supermarket i rrjetit Delhaize në Hoeilart të Belgjikës i tha gazetës Het Laatste Nieuws se kishte pësuar humbje prej 100 mijë eurosh, për shkak të prishjes së produkteve ushqimore.

Menaxheri i dyqanit tha se kjo shumë nuk përfshin humbjet e tjera që do të shkaktohen nga mbyllja e përkohshme e supermarketit.

Rrjeti francez i supermarketeve, Carrefour, njoftoi se incidenti kishte prekur vetëm 15 dyqane të tij në Belgjikë, duke shtuar se ishin marrë masa të menjëhershme për të siguruar që të gjitha dyqanet të vazhdonin punën.

Një zëdhënës i kompanisë Colruyt Group, e cila menaxhon dyqanet Spar në Belgjikë, i tha agjencisë Reuters se sistemet e ftohjes në pesë prej dyqaneve të saj kanë qenë cak i sulmit.

Në Suedi, nga sulmi u prekën disa dyqane të rrjeteve ICA dhe Coop.

Në Irlandë, ai shkaktoi probleme në 13 supermarkete të rrjetit SuperValu.

Një zëdhënës i prodhuesit danez, Danfoss, i tha radios publike holandeze NOS se sistemet e ngrirjes dhe ftohjes në së paku 17 biznese në Holandë ishin sulmuar gjatë natës.

Mes bizneseve të prekura ishin kasapë dhe dyqane të vogla lagjesh.

EvropaSiguria kibernetike