Tetova mbrëmë, pas orës 22:00, u përfshi nga një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me erëra të forta. Erërat me fuqi uragani rrëzuan konstruksionet e kulmeve nga katet e sipërme të dy ndërtesave. U rrëzuan edhe disa drunj, por situata më kritike ishte në dy kantiere ndërtimi, ku, sipas pamjeve të incizuara nga qytetarët, shiheshin dy vinça të mëdhenj duke u lëkundur majtas-djathtas nga goditjet e erës së fuqishme, duke paraqitur rrezik të madh për t’u rrëzuar, transmeton Portalb.mk.
Në këto lokacione ndërhynë menjëherë policia dhe zjarrfikësit, të cilët i mbyllën rrugët për qarkullim dhe kalim deri në përfundimin e stuhisë.
“Pamë se vinçat po lëkundeshin nga goditjet e erës. Së bashku me policinë i mbyllëm rrugët për qarkullim dhe kalim, me qëllim të sigurimit të zonës. Kjo ndodhi në dy kantiere të ndryshme ndërtimi. Sot pritet që atje të dalë inspektorati dhe t’u tërheqë vërejtjen ndërtuesve të këtyre ndërtesave se në kushte të tilla atmosferike duhet t’i sigurojnë vinçat. Përveç kësaj, era rrëzoi kulmet e dy ndërtesave të larta në qytet, ndërsa pati edhe disa drunj të rrëzuar, si në shkollën fillore ‘Andrej Saveski-Kikish’, në oborrin e Spitalit Klinik të Tetovës, ashtu edhe pranë poligonit në Dërboj, ku një dru ra në rrugë. Drunj të rrëzuar pati edhe në disa lokacione të tjera, ku u raportuan dëme materiale të shkallëve të ndryshme”, deklaroi Avni Ameti, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Tetovë.
Sipas informacioneve, nga stuhia e mbrëmshme nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Njësia Territoriale Kundër Zjarrit – Tetovë u bëri apel të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, “për shkak të erërave me intensitet të lartë që po fryjnë në qytetin tonë”.
Për të shmangur situatat e rrezikshme dhe për të mbrojtur sigurinë personale dhe atë të të tjerëve, rekomandojnë:
▪️ Shmangni qëndrimin dhe parkimin e automjeteve pranë pemëve të larta dhe objekteve të pasigurta.
▪️ Tregoni kujdes pranë shtyllave elektrike, çative, tendave, reklamave dhe konstruksioneve që mund të dëmtohen apo të rrëzohen nga era.
▪️ Siguroni objektet e lëvizshme në ballkone, oborre dhe hapësira të hapura.
▪️ Shmangni daljet e panevojshme dhe qëndrimin në hapësira të ekspozuara ndaj erërave të forta.