Studim: Të rinjtë, gratë dhe komunitetet e vogla etnike mbeten jashtë vendimmarrjes në Pollog

Gratë, të rinjtë dhe bashkësitë më të vogla etnike vazhdojnë të jenë të margjinalizuara në vendimmarrjen lokale në rajonin e Pollogut. Edhe pse ligjet ekzistuese garantojnë përfshirje të barabartë, zbatimi i tyre në praktikë shpesh mbetet formal dhe simbolik, duke u shndërruar në një përfaqësim të pamjaftueshëm dhe pa ndikim real. Këto mes tjerash theksohen në studimin e ri “Përfaqësimi i grave, të rinjve dhe bashkësive më të vogla etnike në procesin e vendimmarrjes në nivel lokal” të realizuar nga Institutit BIRC, transmeton Portalb.mk.

Studimi tregon se përfaqësimi i këtyre grupeve shoqërore mbetet i ulët, sidomos në pozitat vendimmarrëse.

Studimi mes tjerash nxjerr në pah këto gjetje: 

  • Gratë janë të nën-përfaqësuara në këshillat komunale të Pollogut, me një mesatare prej 36%, në kontekstin ligjor prej 40%. Përjashtimi i tyre në pozita ekzekutive dhe drejtuese është edhe më i theksuar. Komisionet për barazi gjinore janë të dobëta dhe shpesh pa ndikim real. 
  • Të rinjtë përballen me përjashtim të theksuar nga vendimmarrja lokale. Përfaqësimi i tyre në këshilla është nën 7%, ndërsa shumica e komunave nuk kanë këshilla rinore funksionale. 
  • Bashkësitë me të vogla etnike nuk kanë përfaqësim të mjaftueshëm në këshillat komunale. 
  • Sistemi elektoral dhe listat jo-favorizuese të partive i pengojnë këto komunitete të kenë zë në qeverisjen lokale. Duhet të mendohet dhe të merren mekanizma për përfshirje më të madhe. 
  • Zbatimi i ligjeve për barazi dhe përfshirje mbetet i dobët, dhe shpesh ka mungesë vullneti politik, burimeve të pamjaftueshme dhe normave të të përfshirjes etnike, gjinore dhe rinore. 
  • Rekomandimet përfshijnë forcimin e kuotave të përfaqësimit, funksionalizimin e këshillave rinore dhe komisioneve për barazi gjinore, si dhe zhvillimin e politikave që përfshijnë komunitetet etnike në qeveri, të rinjve dhe bashkësive me të vogla etnike. 

Edhe pse ligjet dhe dokumentet strategjike, theksohet në këtë studim, obligojnë njësitë e vetëqeverisjes lokale të krijojnë më shumë hapësirë për angazhimin e të rinjve, grave dhe bashkësive më të vogla në procesin e marrjes së vendimeve, megjithatë realiteti nxjerr në pah mungesën e rezultateve konkrete që janë pasojë e mungesës së zbatimit të normave juridike, ose të zbatimit të pjesshëm të tyre. 

Si përgjigje ndaj këtyre sfidave, studimi rekomandon disa masa konkrete. Përfshirja e kuotave gjinore dhe etnike në administratën lokale dhe pozitat udhëheqëse duhet të jetë e monitoruar dhe e detajuar me akte nënligjore, ndërsa këshillat rinorë duhet të fuqizohen me kompetenca reale, buxhet dhe trajnime për pjesëmarrje efektive. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies përmes platformave digjitale, raporteve tremujore dhe seancave publike, së bashku me fushata ndërgjegjësimi për të rinjtë dhe gratë në zonat rurale dhe komunitetet më të vogla, mund të ndihmojë në përfshirjen e tyre më aktive. 

“Bashkëpunimi mes qeverisjes lokale, shoqërisë civile, mediave dhe akademisë, si dhe trajnime dhe mentorim për gratë dhe të rinjtë, janë të domosdoshme për të rritur kapacitetet e tyre dhe pjesëmarrjen aktive në politikë dhe institucionet lokale. Pa këto ndërhyrje të koordinuara dhe të qëndrueshme, theksohet në rekomandimet e këtij studimi, pjesëmarrja e grave, të rinjve dhe bashkësive më të vogla etnike do të mbetet kryesisht simbolike, duke kufizuar potencialin e demokracisë lokale dhe zhvillimit gjithëpërfshirës”, thonë nga BIRC. 

Studimin e plotë mund ta lexoni KËTU. 

Barazi gjinoreRajoni i PollogutTë rinj - Rini - Rinia