Festivali Sunny Hill edhe mbrëmë në natën e dytë solli ritëm dhe spektakël muzikor, ku në skenë u ngjitën emra të mëdhenj të muzikës së huaj. Sot është dita e fundit e festivalit, shkruan Portalb.mk.
Në skenën kryesore performuan Lewis Capaldi, Esdeekid, Auxlua, Lumi B, Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Buta, Eko.
Pas mesnate në skenën C4 programi vijoi me Gjin, Pawsa dhe Kamelia.
Program nga ora 13 deri më 19 pati edhe në skenat The Next dhe The Satelite.
Festivali do të vazhdojë edhe sot që nga ora 13 ku në dy skena do të ngjiten disa artistë.
Ndërkaq nga 18:45 programi do vijojë në skenën kryesore ku do ngjiten Martin Garrix, Tyson O’Brien, Roya, Bees&Honey, Kim Turnbull, Asam Port&Rampa dhe Carlita.
Kujtojmë se natën e parë e kryesoi Katy Perry, Dhurata Dora, Manifest, Blanco, Tommy Gold, Seth Troxler, Salome le Chat dhe shumë të tjerë.
Sunny Hill Festival është festivali më i madh muzikor në Kosovë dhe një nga festivalet kryesore të muzikës në Evropën Juglindore.
I themeluar nga familja Lipa në vitin 2018, festivali është përzgjedhur tri herë në listën e 10 festivaleve më të mira evropiane të kategorisë së mesme, ndërsa promovohet ndërkombëtarisht nga fituesja e trefishtë e çmimit Grammy, Dua Lipa.
Gjatë viteve, ai e ka vendosur Prishtinën në hartën ndërkombëtare të festivaleve si një destinacion kulturor që duhet vizituar, në një vend që e do muzikën dhe di të festojë.
Mediat ndërkombëtare e kanë krahasuar Sunny Hill-in me ndikimin që Coachella pati për një qytet të vogël në shkretëtirë.
Në edicionet e kaluara kanë performuar artistë si Dua Lipa, Miley Cyrus, Calvin Harris, Shawn Mendes, J Balvin, Anyma, Stormzy, Peggy Gou, Mochakk, Black Coffee, Burna Boy, Fatboy Slim, Martin Garrix, Hardwell dhe shumë të tjerë.
Sunny Hill është vlerësuar në tri cikle të European Festival Awards.
Sunny Hill Festival është ngjarje e hapur për personat 16 vjeç e lart.