Bisedimet Ukrainë-Rusi përfunduan, sulmet nuk ndalen

Bisedimet dyditore mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dabi, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, përfunduan më 11 nëntor, pas një takimi që zgjati më pak se dy orë, raportuan disa media, raporton Radio Evropa e Lirë. Ende nuk ka informacione nëse është arritur ndonjë përparim në negociata.

Këto ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta mes zyrtarëve rusë dhe ukrainas që nga shkurti.

Ato u mbajtën në kuadër të përpjekjeve të reja të Shtëpisë së Bardhë për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë – konfliktit më të madh dhe më të përgjakshëm tokësor në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në Abu Dabi u zhvilluan edhe konsultime me përfaqësues të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Ukrainës.

Megjithatë, këto takime me përfaqësuesit amerikanë ishin të ndara nga bisedimet trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë.

Ukraina njoftoi më herët se delegacioni i saj do të takohej me përfaqësuesit amerikanë dhe evropianë pas përfundimit të negociatave me Rusinë.

Ndërkohë, guvernatori i rajonit rus të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, njoftoi në Telegram se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar 150 dronë ukrainas mbi këtë rajon, gjatë natës.

Sipas Drozdenkos, disa dronë goditën zonën e portit Ust-Luga, ku ndodhet qendra më e madhe ruse për eksportin e energjisë dhe naftës në Detin Baltik.

Sulmi shkaktoi zjarr dhe la të plagosur tre punëtorë.

Në një sulm tjetër, dy persona humbën jetën pasi mbetjet e një droni goditën një ndërtesë banimi në rajonin rus të Smolenskut, që kufizohet me Bjellorusinë, njoftuan autoritetet rajonale.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi më 11 nëntor se forcat e saj të mbrojtjes ajrore kishin kapur dhe shkatërruar 627 dronë ukrainas gjatë natës.

Ushtria ukrainase nuk i konfirmoi sulmet në territorin rus.

Lufta në UkrainëRusiaUkrainaVladimir PutinVladimir Zelenski (Volodymyr Zelenskyy)