Branko Smilevski, Bllagica Troshanska, Feuzi Xhaferi, Kimo Çavdar, Vlladimir Naumovski, Vesna Dorevska, Nenad Trifunovski, Valentina Todorovska, Antonio Sanev dhe Adem Çuçul janë kandidatët për postin e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) të cilët do të intervistohen sot dhe nesër nga Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime. Procedura për zgjedhjen e kryetarit të KSHPK-së vazhdon pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, ndërsa Kuvendi po rizgjedh kryetarin e komisionit Antikorrupsion pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës, e dyshuar për përfshirje në rastin “Aditiv”, transmeton Portalb.mk.
Trembëdhjetë kandidatë garuan për kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, njëri është tërhequr kurse dy u diskualifikuan.
Kujtojmë se dhe në gusht, Cveta Ristovska, u zgjodh unanimisht si zëvendëskryetare e KSHPK-së, i cili mbeti pa kryetar pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës. Ajo ka udhëhequr Komisionin gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit.
Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime në gusht e formoi Komisionin për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), por procedura u ndërpre për shkak të zgjedhjeve.
Komisioni i formuar për Përzgjedhjen e Kandidatëve përbëhet nga shtatë anëtarë: Ylber Rufati, zëvendës Avokat i Popullit, Darko Avramovski, përfaqësues i një shoqate ose fondacioni të emëruar si anëtar i Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Sektorit Civil në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, pra anëtar i Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Shoqërisë Civile në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, Bardhyl Jashari, përfaqësues i shoqatës ose fondacionit të emëruar si anëtar i Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Sektorit Civil në fushën e mediave dhe shoqërisë së informacionit, dhe deputetët: Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE, Saranda Imeri Stafai nga VLEN, Mitko Trajçuleski nga LSDM dhe Arbana Pasholli nga Fronti Evropian.
Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 14 nëntor e mbaroi seancën në të cilën shqyrtoi se a i plotësojnë kandidatët kushtet teknike. Nga 12 kandidatë, komisioni vlerësoi se Branko V’çkov dhe Zoran Naumov nuk i plotësojnë kushtet dhe u diskualifikuan nga kandidimi..
Komisioni Evropian në Raportin e ri për Maqedoninë, tha se nuk ka asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, kurse aktakuza e ngritur ndaj Presidentes së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), e cila çoi në dorëheqjen e saj, ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e institucionit.
“KSHPK duhet të ofrojë në mënyrë proaktive udhëzime politike për të parandaluar korrupsionin, për të zbuluar dhe raportuar rastet e dyshuara të korrupsionit dhe për të rritur efikasitetin e saj në verifikimin e deklaratave të pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatave zgjedhore. Paralelisht, rekomandimet e saj duhet të ndiqen në mënyrë efektive”, thuhet në raport.
- LEXO: U publikua Raporti i progresit për RMV-në: Asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, miratimi i Kodit të ri Penal në krye të kërkesave
- LEXO: Përzgjedhja e kandidatëve dhe zgjedhja kreut të ri të KSHPK-së do të fillojë pas zgjedhjeve lokale
KSHPK mbeti pa kryetare pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës, e cila dha dorëheqjen pas akuzave nga Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar për dy vepra penale: zbulimin e sekreteve zyrtare ish-drejtorit të TEC Negotina, Nebojsha Stojanovi1, i akuzuar në “Aditiv”, dhe falsifikim kompjuterik, sepse një auditor nga Enti Shtetëror i Revizionit kaloi test certifikate sekreti shtetëror në emër të saj.