Sonte, 30 tetor, me fillim në orën 20:00, në skenën e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup, do të interpretohet opera “Nabuko” nga Xhuzepe Verdi, një nga veprat më të famshme dhe domethënëse në artin operistik. Me muzikë të fuqishme, një komplot dramatik dhe interpretime të forta vokale, kjo operë tregon fatin e popullit hebre dhe dëshirën e tyre për liri dhe atdhe, duke mbartur një mesazh universal që arrin edhe sot e kësaj dite tek publiku, shkruan Portalb.mk.
Opera do të interpretohet nën dirigjimin e Miron Mihailidis (Greqi), me regji nga Renato Bonaiuto (Itali), skenografia dhe kostumografia janë nga Flavio Arbeti dhe Artemio Kabasi nga Italia, koreografe është Maja Mitrovska-Bogojevska, koncert-mjeshtër është Kliment Todoroski, kor-mjeshtër është Jasmina Gjorgeska, dhe ndriçim nga Milço Alexandrov.
Roli kryesor do të interpretohet nga Marjan Jovanoski, roli i Abigail do të interpretohet nga Zlata Toshevska Dimovska, Nikolina Janevska do të luajë Fenenën, Gjorgi Cuckovski do të interpretojë si Ismail, dhe roli i Zaharie do të interpretohet nga Aleksandar Stefanoski. Rolet e mbetura do të interpretohen nga Dime Petrov, Javorka Vitanova, Jane Dunimagloski, kori, orkestra, ansambli i baletit të Operas dhe Baletit Nacional dhe studentët e DMBUC “Ilija Nikolovski – Luj”.
“Nabuko” është një operë lirike-dramatike në katër akte, një nga veprat më të njohura të Xhuzepe Verdit dhe është e preferuara e publikut. Kjo operë pati premierën e saj në vitin 1842 në Skala të Milanos. Është opera e tretë e Verdit, e cila konsiderohet se ka vendosur përgjithmonë reputacionin e tij si kompozitor. Tema e operës është historia e vështirë e popullit hebre, të sulmuar dhe të mundur, të dëbuar nga atdheu i tyre, megjithëse ngjarjet historike përdoren vetëm si sfond për komplotin romantik dhe politik. Verdi shkroi arien korale të njohur gjerësisht brenda një nate, e cila u bë shtylla dramatike dhe muzikore e veprës “Va, pensiero, sull’ali dorate” (“Fluturo me krahë të artë”).