Sindikata e Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM) dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) kanë reaguar ndaj njoftimit të sotëm të Prokurorisë Themelore Publike, në të cilin nga gazetarët kërkohet “komentim dhe informim publik me kujdes dhe përgjegjësi”, ndërsa nga organizatat profesionale pritet “të garantojnë respektimin e standardeve etike për raportim dhe përmbajtje gjatë komentimit publik”. Prokuroria e mirëpriti reagimin, transmeton Portalb.mk.
Reagimi i prokurorisë pasoi pasi në publik u ngritën pyetje legjitime lidhur me moszgjedhjen e prokurores që udhëhoqi procesin kundër policëve për rastin “Puls” të tragjedisë në Koçan, pra nëse ky ndryshim mund të ndikojë në rrjedhën dhe kohëzgjatjen e procedurës.
“Në vend që të tregojë qartë për ndonjë mangësi konkrete në raportim, Prokuroria me njoftimin e sotëm publik paralajmëron në mënyrë të përgjithshme se spekulimet dhe informacionet e pavërteta lidhur me rastet e tragjedisë në Koçan mund të shkaktojnë shqetësim shtesë tek familjet e viktimave dhe tek publiku”, thonë SPGPM dhe SHGM.
Ata konsiderojnë se një thirrje e tillë mund të interpretohet negativisht në publik, veçanërisht nëse nuk tregohet qartë për cilat raste konkrete të raportimit joetik ose jo profesional bëhet fjalë.
“Në një kontekst të tillë, mesazhi mund të japë përshtypjen e një përpjekjeje për të heshtur zërat kritikë dhe për të kufizuar debatin publik mbi çështje me interes të lartë publik. Këtë e kemi theksuar edhe në komunikim të drejtpërdrejtë me përfaqësues të prokurorisë, me qëllim të tejkalimit të keqkuptimeve të mundshme që burojnë nga përmbajtja e njoftimit të tyre”, thuhet në reagim.
Ata potencojnë se në rastet kur ekziston dyshim për raportim joetik dhe jo profesional, tashmë ekzistojnë mekanizma për veprim, përfshirë ankesat në Këshillin e Nderit të SHGM-së dhe në Këshillin e Etikës në Mediat në Maqedoni.
Pas kësaj, reagoi Prokuroria Publike e cila e pranoi dhe e mirëpriti reagimin e SHGM-së dhe SPGPM-së.
“Prokuroria angazhohet plotësisht për respektimin e nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 16 të Kushtetutës, të cilat garantojnë lirinë e shprehjes dhe informimin objektiv të publikut. Prokuroria mbron të drejtat dhe liritë e njeriut dhe në këtë mënyrë krijon kushte për realizimin e tyre pa pengesa”, thanë nga Prokuroria.
Kujtojmë se sot më herët, Prokuroria Publike doli me një kumtesë, ku thonë se pas vendimeve të fundit të Këshilli i Prokurorëve Publikë për përzgjedhjen e prokurorëve në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar efikasitet dhe zhvillim të pandërprerë të të gjitha procedurave në vijim.
Prokuroria Publike apeloi për komentim dhe informim publik me kujdes dhe përgjegjësi, veçanërisht për çështjet lidhur me tragjedinë e Koçanit, pasi çdo spekulim publik dhe informacion i pavërtetë për mënyrën se si ndryshimi i prokurorit mund të ndikojë në procedurat në zhvillim, shqetëson thellësisht familjet e viktimave, por edhe publikun në tërësi.
“Drejtojmë thirrje ndaj Shoqatës së Gazetarëve dhe organizatave të tjera profesionale që të bëjnë apel dhe të garantojnë respektimin e standardeve etike për raportim dhe përmbajtje gjatë komentimit publik të tragjedive të tilla, në mënyrë që të mos lejohet rritje e paarsyetuara e dhimbjes dhe vuajtjes”, tha Prokuroria.
Ata apeluan gjithashtu te të gjithë aktorët publikë që të kontribuojnë për efikasitetin e procedurave, por edhe për maturi në deklaratat dhe komentet publike, ashtu siç kërkon serioziteti i pasojave dhe trauma kolektive e shkaktuar nga zjarri në “Puls”.
Pasi Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk ia vazhdoi mandatin prokurores Ivana Aleksov Trajçeva e cila kishte në kompetencë rastet kundër policëve të akuzuar për tragjedinë në Koçan, në media dhe opinion u ngritën pyetjet se çfarë do të ndodh me këtë lëndë dhe nëse do të ketë zvarritje. Madje edhe prindërit e viktimave protestuan duke kërkuar rikthimin e prokurores Trajçeva në lëndët e diskotekës ‘Pulse’.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Tetë muaj pas aksidentit, 37 të pandehur u ulën në bankën e të akuzuarve, nga të cilët 34 ishin individë dhe tre ishin persona juridikë. Pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune janë të akuzuar.