Shkupi sërish u gjend në mesin e dhjetë qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Sipas stacionit IQAir vlerat e grimcave PM 10 sot janë vlerësuar me 153 në shkallën e indeksit të cilësisë së ajrit AQI, sipas së cilës vlerat nga 150 deri në 200 konsiderohen të pashëndetshme për të gjithë popullatën. Në raste të tilla rekomandohet mbajtja e detyrueshme e maskës jashtë shtëpisë, shmangia e aktiviteteve sportive në natyrë, mos hapja e dritareve dhe përdorimi i pastruesve të ajrit në mjedise të mbyllura, shkruan Meta.mk, transmeto Portalb.mk.
Vlera seriozisht të larta të grimcave PM ditëve të fundit ka pasur edhe në Strumicë. Sot, pika matëse e Sistemit Automatik Shtetëror të Monitorimit të Cilësisë së Ajrit Ambiental (SASHMCAA) në Strumicë tregon përqendrime të grimcave PM 10 dhe mbi 460 mikrogramë për metër kub dhe mbi 250 të grimvcave PM2,5, të cilat paraqesin një rrezik jashtëzakonisht të lartë për shëndetin e njerëzve në këtë qytet.
Në faqen e Monitorimit Shtetëror nga gjashtë pikat matëse në Shkup, vlerat e PM 10 dhe PM 2.5 mund të monitorohen vetëm tek gjysma e tyre. Stacioni matës te Rektoratit ka kohë që nuk punon, ndërsa sot matjen e grimcave të pluhurit nuk e bënin as stacionet matëse në Qendër dhe Karposh. Në Lisiçe vlerat e PM 10 dhe 2.5 janë të larta dhe arrijnë deri në 231 mikrogramë për metër kub, që është pothuajse pesë herë mbi vlerat maksimale të lejuara, ndërsa në Gazi Babë ato janë mesatare dhe janë 108 mikrogramë ose më shumë se dy herë mbi maksimum.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor sot konfirmuan se pikat matëse në Qendër dhe Karposh nuk funksionojnë, por që së shpejti do të vihen në funksion.
“Informacion për vlerat e PM10 në Karposh dhe Qendër do të ketë duke filluar nga sot, ndërsa për PM2.5 po vijon ndërrimi i instrumenteve”, njoftojnë nga Ministria.
Nga ana tjetër, banorët e Strumicës tashmë për të dytën javë po luftojnë për ajër. Vlerat e PM10 dhe PM 2.5 në këtë qytet kanë arritur vlera rekord, ndërsa ekologjistët u bëjnë thirrje të gjitha autoriteteve që të ulen dhe të gjejnë zgjidhje menjëherë. Nga Zdrava Kotlina paralajmërojnë se ajri në qytet mban erë të plastikës së djegur, ndërsa pasojat për shëndetin e njerëzve do të jenë të paimagjinueshme.
“Është e qartë se në Strumicë nuk ka vetëm një burim të ndotjes, këtu i kemi edhe amvisëritë dhe serrat, por edhe industrinë, gjë që vihet re sidomos në ditët e fundjavës, kur fabriket mbyllen dhe pastrohet ajri. Por problem i madh është se Strumica ka vetëm një inspektor ekologjik, i cili nuk ka pajisje për të kryer kontrolle apo për të marrë mostra që do të ekzaminohen në laborator. Në kushte të tilla nuk mund ta zbulojmë se kush është ndotësi më i madh, nga çka, nga ana tjetër, varen të gjitha zgjidhjet”, thotë Kostadin Ristomanov nga Zdrava Kotlina.
Kujtojmë se Laboratori Shtetëror për Mjedisin Jetësor planifikon që vitin e ardhshëm të akreditohet për tre metoda të monitorimit të cilësisë së ajrit, por vetëm nëse gjejnë se kush do të punojë me instrumentet. Siç informojnë për Meta.mk nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Laboratori qendror në propozim buxhetin për vitin 2024 parasheh akreditim të metodave të reja për matjen e emetimit nga burimet stacionare. Megjithatë, akreditimi dhe matjet nuk do të varen vetëm nga ajo nëse do të sigurohen mjete për procesin, por në masë të madhe do të varen nga ajo se nëse do të punësohen kuadro adekuate, si kryerës të punës në terren.