Shkupi hap perden për “UNRECOGNIZED”, produksioni ndërkombëtar që sfidon kufijtë dhe identitetet

Shkupi do të jetë stacioni i parë i një prej bashkëprodhimeve më të veçanta ndërkombëtare teatrore të këtij sezoni. Kanë nisur provat për shfaqjen ndërkombëtare “UNRECOGNIZED”, me autorë dramaturgun kosovar Jeton Neziraj dhe dramaturgun gjeorgjian Davit Gabunia, nën regjinë e regjisorit të njohur gjeorgjian Data Tavadze, shkruan Portalb.mk.

“UNRECOGNIZED” nuk është vetëm një bashkëpunim ndërkombëtar teatror. Shfaqja prek disa nga temat më të ndjeshme të Evropës së sotme, duke vënë në qendër identitetin, zhvendosjen, kujtesën, konfliktet, kufijtë dhe fatin e njerëzve e komuniteteve që ekzistojnë, por shpesh mbeten të padukshme apo të panjohura.

Përmes historive që burojnë nga realitete të ndryshme politike dhe shoqërore, produksioni ngre pyetje mbi përkatësinë dhe sovranitetin, por edhe mbi atë se çfarë ndodh me njeriun kur vendi, identiteti apo historia e tij vihen vazhdimisht në pikëpyetje.

E frymëzuar edhe nga miti antik i Tauridës, shfaqja ndërthur materialin dokumentar, humorin dhe imazhet poetike, duke vendosur përballë kujtesën dhe traumat e së kaluarës me frikën, pasiguritë dhe konfliktet e Evropës së sotme.

Regjisori Data Tavadze, në një deklaratë për Portalb.mk, tha se shpreson që shfaqja të përcjellë historitë personale dhe politike të pjesëmarrësve dhe të rrisë ndërgjegjësimin për zhvillimet aktuale.

“Shpresoj që të arrijmë të tregojmë të paktën pika nga ato histori që tashmë po i dëgjojmë, gjatë kësaj jave, në këtë grup shumë, shumë interesant, ku njerëz nga vende dhe kontekste të ndryshme sjellin historitë e tyre personale dhe politike, ajo që shpresoj vërtet është që kjo shfaqje të na zgjojë disi sensin dhe ndërgjegjësimin për atë që po ndodh pikërisht tani”, tha Tavadze.

Autori Jeton Neziraj për Portalb.mk tha se, brenda temës së përgjithshme të shfaqjes “Unrecognized”, ekipi është fokusuar te çështjet e grupeve dhe territoreve të panjohura apo të papranuara, si dhe te temat e luftës, zhvendosjes dhe sakrificës.

“Titulli ‘Unrecognized’ na ka hapur një hapësirë të gjerë për të eksploruar tema të ndryshme, nga nacioni dhe sakrifica, deri te luftërat, zhvendosjet dhe konfliktet. Materiali po ndërtohet gjatë procesit të punës me aktorët, të cilët janë pjesëmarrës aktivë në krijimin e tij. Besoj se rezultati final do të jetë një shfaqje që këto tema të mëdha i trajton jo vetëm në aspektin politik e gjeografik, por edhe në dimensionin individual dhe njerëzor”, tha Neziraj.

Aktori Shkëlqim Islami, në një prononcim për Portalb.mk, e vlerësoi projektin ndërkombëtar si një eksperiencë të veçantë dhe të rëndësishme për karrierën e tij.

“Ky është bashkëpunimi im i parë në një shfaqje ndërkombëtare. Për momentin jemi ende në procesin e përzgjedhjes së tekstit dhe roleve, ndaj nuk mund të them saktësisht se cilin rol do ta luaj. Megjithatë, besoj se do të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme.” Duke folur për tematikën e shfaqjes, Islami theksoi se ajo trajton sakrificën, luftën dhe raportin mes shtetit dhe njeriut, duke ndërthurur mite si Ifigjenia dhe Rozafa.

“Shfaqja ngre pyetjen se çfarë bën shteti për njeriun dhe popullin e tij dhe ku janë kufijtë e sakrificës. Edhe deti shfaqet si metaforë: për dikë është rrugë drejt luftës, ndërsa për dikë tjetër shpresë për një jetë më të mirë.” Islami tha se është jashtëzakonisht i lumtur që është pjesë e këtij produksioni, edhe pse e konsideron sfidë faktin që shfaqja do të jetë kryesisht në anglisht, me pjesë edhe në shqip, gjeorgjisht dhe suedisht. “Kjo është pikërisht ajo që e bën këtë eksperiencë kaq të veçantë dhe të rëndësishme për mua si aktor, tha Islami.

Ismet Ramadani, Drejtori i Teatrit Shqiptar  për Portalb.mk tha se ky projekt do të jetë një hap pozitiv për teatrin dhe aktorët.

“Qëllimi parësor i këtij projekti është të dalim përtej kufijve tanë, të hapemi drejt Evropës dhe më gjerë, të njohim dhe të përvetësojmë përvoja të reja kulturore, por njëkohësisht edhe të shkëmbejmë përvojat tona. Për këtë jemi pajtuar edhe me bashkëpunëtorët e projektit. Besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit, duke sjellë një energji dhe një përvojë të re përmes këtij bashkëpunimi. Është e rëndësishme të njihemi më shumë me botën kulturore nga e cila, për një periudhë të caktuar, kemi qenë disi të izoluar. Besoj se kjo do të hapë rrugë edhe për bashkëpunime të reja në të ardhmen, përfshirë edhe bashkëpunimin me regjisorin”, tha Ramadani.

Premiera do të mbahet më 10 tetor në Shkup, prej nga “UNRECOGNIZED” do ta nisë rrugëtimin e tij evropian drejt disa prej skenave më të njohura teatrore në Suedi.

Në skenë do të interpretojnë gjashtë aktorë nga vende të ndryshme të Evropës: Shkëlqim Islami, Kateryna Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Salomaa, Ellen Jelinek dhe Johannes Wanselow.

Produksioni realizohet në bashkëpunim mes Qendrës Multimedia nga Prishtina, Ornproduktion nga Stokholmi dhe Teatrit Shqiptar në Shkup, së bashku me Royal District Theatre nga Tbilisi, Theatre on Pechersk nga Kievi, Malmö Stadsteater, Dramaten dhe Göteborgs Stadsteater.

Pas premierës në Shkup, gjatë muajit nëntor shfaqja do të prezantohet në Malmo Stadsteater, Goteborgs Stadsteater dhe Dramaten, The Royal Dramatic Theatre në Stokholm, duke e çuar produksionin nga Shkupi drejt disa prej skenave më të rëndësishme teatrore evropiane.

Kultura shqiptareKulturë lajmeTeatër shfaqje teatroreTeatri Shqiptar ShkupVideo Lajme