Sheshi “Skënderbeu” në Shkup u mbush sot me qytetarë të shumtë, pjesëmarrës në protestën e pestë që pasoi ato në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg, duke shprehur mbështetje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kërkesën për drejtësi të pandikuar politike, transmeton Portalb.mk.
Veterani i luftës, Berat Hajdari, në fjalën e tij theksoi se qëllimi i tyre nuk është të mohojnë drejtësinë, por ta kërkojnë atë.
“Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Ne kërkojmë gjykim të ndershëm dhe transparent, pa standarte të dyfishta ku kriminelët lirohen ndërsa çlirimtarët mbeten pas grilave. UÇK është zemra, nderi dhe krenaria e kombit tonë. Lufta jonë ka qenë e drejtë, komandantët tanë meritojnë drejtësi”, tha mes tjerash Hajdari.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, rikujtoi se protesta ka për qëllim të tregojë se UÇK nuk ka qenë një ushtri kriminale.
“Jemi këtu për të ngritur zërin tonë dhe për të kërkuar drejtësi të vërtetë, jo politike. Gjykata e Hagës po trajton fakte të fabrikuara dhe po ndikon në relativizimin e historisë sonë. I bëjmë thirrje Evropës për një drejtësi të drejtë – ne nuk kërkojmë lëmoshë, por drejtësi të pastër,” theksoi Gucati.
Përveç veteranëve, në tubim morën pjesë ish-komandantë të UÇK-së, përfshirë Daut Haradinajn, Fatmir Limajn dhe të tjerë.
Fjalë para turmës së madhe mbajti edhe Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili lidhur me historinë dhe kontributin e figurave historike shqiptare, si Hasan Prishtina, Pjetër Bogdani dhe Nexhat Agolli, tha: “Ne nuk themi se Evropa na kishte borxh, por i falënderojmë për mbështetjen ndaj UÇK-së dhe për ndalimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës.”
Ahmeti theksoi se UÇK luftoi për popullin e vet, duke respektuar konventat ndërkombëtare dhe duke vendosur standarde të qarta për veprimet e saj. Ai e cilësoi të pabaza dhe të fabrikuara nga Beogradi dhe Moska akuzat ndaj UÇK-së për krime dhe ndërmarrje kriminale të përbashkët, duke kërkuar pafajësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe ushtarët e tjerë që ndodhen pas grilave.
Protesta e sotme, njëjtë si ato paraprake synoi të rikthejë vëmendjen ndërkombëtare mbi kërkesën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke theksuar rëndësinë e njohjes së historisë së Luftës së Kosovës dhe të kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.