Prokuroria Themelore Publike Shkup, gjyqtarit për fëmijë në Gjykatën Themelore Penale Shkup, ka dorëzuar kërkesë për fillimin e procedurës paraprake kundër dy fëmijëve në konflikt me ligjin, të moshës 15 vjeçare, të cilët dyshohen se kanë kryer vepra që me ligj konsiderohen si vepër penale – Dhunë sipas nenit 386 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Më 9 shkurt, në rrugën “Miroslav Krlezha” në Shkup, dy të miturit kanë kërcënuar sigurinë e një vajze tjetër, duke ushtruar dhunë të rëndë ndaj viktimës. Vajzat fillimisht kanë biseduar dhe kanë nisur të debatojnë, më pas të dy e kanë kapur viktimën dhe e kanë rrëzuar në tokë, e më pas e kanë goditur me grushte dhe shkelma derisa një dëshmitar i ngjarjes i ka ndarë. Kjo i shkaktoi vajzës lëndime fizike, si dhe ndjenjë ankthi në publik.
Gjatë procedurës, prokurori publik propozon që të dëgjohen fëmijët në konflikt me ligjin dhe të dëmtuarin, si dhe dëshmitarët e ngjarjes, të merret dëshmia e ekspertit për llojin dhe natyrën e lëndimeve, t’i ofrohen regjistrimet e dëshmitarëve në ngjarje, të merret mendim nga Qendra për Çështje Sociale, si dhe të ndërmerren të gjitha veprimet e tjera të nevojshme.
Duke vepruar në një rast tjetër, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, ka dorëzuar tek gjyqtari për fëmijë në Gjykatën Themelore Penale Shkup, kërkesë për inicimin e procedurës përgatitore kundër katër fëmijëve në konflikt me ligjin, të moshës 15 dhe 17 vjeçare, të cilët dyshohet se kanë kryer vepra të parapara si vepër penale – Vjedhje nga neni 237 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Që të katër, më 12 shkurt, pranë një këndi lojërash për fëmijë në lagjen Nerez, i kanë marrë me dhunë celularin e një fëmijë të lindur në vitin 2007. Ata e kanë përgjuar viktimën në këndin e lojërave dhe e kanë sulmuar duke e goditur me duar dhe këmbë në kokë dhe trup, duke i shkaktuar lëndime në formë të mavijosjeve në kokë, nga të cilat viktima ka humbur ndjenjat. Më pas ia hoqën telefonin nga xhepi i xhaketës dhe ikën. Për këta katër fëmijë në konflikt me ligjin, të cilët janë përsëritës të veprave të tjera penale, me propozim të prokurorit publik, Gjykata caktoi masën e paraburgimit, duke vlerësuar se janë plotësuar bazat ligjore.
Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e procedurave në të cilat të miturit paraqiten si autorë dhe viktima dhe domosdoshmërinë e mbrojtjes së plotë të identitetit të tyre gjatë procesit, Prokuroria Publike apelon tek mediat dhe opinioni i gjerë që të shmangin sensacionalizmin dhe përgjegjësinë më të madhe në raportim, komentim dhe shkëmbim i përmbajtjes dhe informacionit në lidhje me veprat penale të kryera nga fëmijët.