Samiti i NATO-s në Ankara: Delegacioni i Maqedonisë së Veriut me mesazhe për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen

“Evropë më e fortë – NATO më e fortë” do të thotë se një Evropë e zgjeruar dhe e bashkuar është një Evropë më e fortë, por Evropa më e fortë është ajo që jeton në paqe dhe demokraci, e bazuar në parime dhe vlera, deklaroi presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, para takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive, që po mbahet në Ankara të Turqisë, transmeton Portalb.mk.

“Më shumë kantianizëm sesa makiavelianizëm. Sot do të doja të thoja se motoja “Evropë më e fortë – NATO më e fortë” sipas mendimit tim do të thotë se një Evropë e zgjeruar dhe e bashkuar është një Evropë më e fortë. Por Evropa më e fortë është një Evropë që jeton në paqe dhe demokraci bazuar në parime dhe vlera. Ky është mesazhi im”, theksoi Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në një deklaratë të shkurtër për mediat para takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive, i cili po mbahet në kompleksin presidencial “Beştepe” në Ankara.

Siljanovska-Davkova po merr pjesë në Samitin e NATO-s në krye të delegacionit shtetëror, ku bëjnë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, si dhe ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.

Në margjinat e samitit, ministri i Jashtëm Timço Mucunski zhvilloi takim me homologun e tij holandez, Tom Berendsen. Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe evropiane, si dhe partneritetin në kuadër të NATO-s.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski mori pjesë në një sërë aktivitetesh dhe takimesh të organizuara në kuadër të samitit, përfshirë pritjen për ministrat e mbrojtjes të organizuar nga ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, Forumin e Industrisë së Mbrojtjes, si dhe ceremoninë e anëtarësimit të Francës, Finlandës dhe Suedisë në nismën shumëkombëshe për programin e NATO-s për trajnim fluturimi në Evropë (NATO Flight Training Europe).

Në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes u diskutua për inovacionet dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes si element kyç i sigurisë kolektive, si dhe për bashkëpunimin në prokurimet e përbashkëta për pajisjen e forcave të armatosura. Nga forumi u përcoll mesazhi se nuk mund të ketë mbrojtje të fortë pa një industri të fortë të mbrojtjes.

Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, delegacioni i Maqedonisë së Veriut po merr pjesë në samitin, ku pritet të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e Aleancës. Në fokus janë forcimi i mbrojtjes kolektive, investimet në kapacitetet mbrojtëse, zbatimi i vendimeve të samitit të vitit të kaluar lidhur me rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, mbështetja për Ukrainën, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe sfidat aktuale të sigurisë.

Gordana Siljanovska DavkovaNATO (M)Samiti i NATOTimço MucunskiVllado Misajllovski