Komisioni parlamentar për Politikë Sociale, Rini dhe Demografi në Maqedoninë e Veriut vazhdon punën me kryetaren e re, por me probleme të vjetra. Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, zëvendësoi ish kryetaren Ilire Dauti nga Fronti Europian, pas votimit të mosbesimit në Kuvend ndaj kësaj të fundit, për shkak bllokimit të seancave ku kërkohej të debatohej për propozim ligjin e LSDM-së në lidhje me “branitellat”, shkruan Portalb.mk.
Megjithatë, njëjtë sikur kryetarja e mëhershme Dauti nga FE edhe kryetarja aktuale, deputetja, Saliu prerazi nuk lejo në Komision të hyjë në rend dite tema e “branitellave”, nëse paraprakisht nuk ka ujdi në mes partive politike edhe për përfshirjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në ligj.
“Ju si LSDM hiqni dorë nga tendenca për të futur propozim ligjin për “branitellat” në rend dite. Sepse, ashtu siç e keni parë, ju nuk jeni konsistent në qëndrimet tuaja. Ne si VLEN kemi vendosur që në asnjë mënyrë të mos lejojmë të futet propozim ligji për “branitellat” në rend dite pa përfshirjen pjesëtarëve të UÇK-së. Çdo debat tjetër jashtë kësaj është i panevojshëm”, ka thënë kryetarja e Komisionit Saliu.
Nga ana tjetër, grupi parlamentar i LSDM-së në një konferencë për media njoftoi se do të ngrejë kallëzim penal kundër deputetes Imërlije Saliu-Fetai nga koalicioni VLEN për, siç thanë ata, shkelje të rëndë të Rregullores në lidhje me kryesimin e Komisionit parlamentar për Politikë Sociale, Rini dhe Demografi.
“Njoftojmë se do të marrim masa konkrete ligjore, gjegjësisht do të ngremë kallëzim penal kundër kryetares së Komisionit, Imërlije Fetai-Saliu, për shkelje të rëndë të Rregullores së punës dhe shkelje të rëndë të të drejtave të deputetëve. Njëkohësisht do të paraqesim iniciativë në Gjykatën Kushtetuese me të cilën do të kërkojmë që të konstatohet shkelje e së drejtës së deputetëve të cilët u penguan të vendosin dhe propozojnë ndryshime në rendin e ditës, sipas Rregullores së punës”, tha koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski.
Sipas Spasovskit, ky është një sulm i paprecedentë ndaj demokracisë dhe shkatërrim i demokracisë dhe demokracisë në Dhomën e Legjislativit, ku siç tha ai, demokracia duhet të jetë më e zhvilluar, sepse Kuvendi, si rregull, është tempull i demokracisë.
Ligji i ‘branitellave’ përcakton statusin dhe të drejtat për pjesëtarët e forcave të sigurisë maqedonase të cilët morën pjesë në konfliktin e armatosur në vitin 2001.
Kundër deputetëve të LSDM-së ka folur edhe deputeti tjetër nga VLEN, Rijad Shaqiri. Ai ka kujtuar deputetët e LSDM-së se kanë pasur mjaftë kohë për ta zgjidhur çështjen e “branitellave” derisa ishin në pushtet.
“Dikush që ka pasur mundësinë 10 vite të zgjidh çështjen e “branitellave”, nuk e kanë bërë, ndërsa sot krekosen këtu në Kuvend. Nuk e keni pasur as guximin, as mbështetjen, … por as dëshirën për të zgjidhur këtë çështje. Tani mundoheni, në vazhdimësi, në çdo mbledhje, mundoheni ta problematizoheni që të dukeni se jeni shumë të interesuar. Këtë e bëni vetëm për të poentuar politikisht. Juve s’ju intereson aspak halli i familjeve dhe personave, të cilët kanë qenë të përfshirë në konfliktin e vitit 2001. Unë edhe një herë po e potencoj këtu se, ky ligj nuk kalon përderisa nuk janë të përfshire edhe ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, tha deputeti Shaqiri.
Kujtojmë se, më 16 janar, të këtij viti, deputetja Ilire Dauti dha dorëheqje nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini në Kuvend. Ky akt i saj erdhi pas votimit të mosbesimit nga ana e Kuvendit për punën e saj në Komision. Ajo nuk vendosi në rend dite Ligjin për ‘Branitellat’ nëse, sipas saj, luftëtarët e UÇK-së nuk trajtohen në mënyrë të njëjtë.
Kompensimi i dëmeve të pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur më vitin 2001, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka qenë shpesh e pranueshme në retorikën e politikanëve shqiptarë, por e njëjta nuk ka gjetur deri më sot zgjidhje ligjore shkaku i rezistencës së palës maqedonase. Bashkë me Bashkimin Demokratik për Integrim, brenda dy dekadave të fundit në qeveri kanë performuar pothuajse të gjitha subjektet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por kjo çështje nuk i ka parë ende kornizat ligjore.
- LEXO: Interpelanca kundër Ilire Dautit: Përplasen partitë politike, edhe jashtë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
- LEXO: “E Majta” do të dorëzojë propozim për shkarkimin e Dautit nëse ajo nuk jep dorëheqje
- LEXO: Kundërspin: Gashi spinon për Dautin – me vullnetin e deputetëve shkarkimi është i pashmangshëm
- LEXO: Interpelanca kundër Ilire Dautit: Përplasen partitë politike, edhe jashtë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut]
- LEXO: Kaloi interpelanca e partisë “E Majta” kundër Ilire Dautit si kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Kuvendi: Nuk nënkupton shkarkim