Rudina Aliu shkroi histori në Brazil: Medalje botërore për Maqedoninë e Veriut mes sakrificave dhe mungesës së mbështetjes

Karateistja Rudina Aliu ka shënuar një sukses të rëndësishëm për sportin dhe karatenë në Maqedoninë e Veriut, duke fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror Universitar të Sporteve Luftarake, të mbajtur në Brazil. Në një konkurrencë të fortë ndërkombëtare, me mbi 1.500 sportistë nga e gjithë bota, ekipi i vajzave arriti të sigurojë rezultat historik, pas fitoreve bindëse ndaj Australisë dhe Kilit. Në një bisedë për Portalb.mk, Rudina Aliu foli për rrugëtimin drejt medaljes, sfidat e sportistëve në vend, mungesën e mbështetjes institucionale dhe synimet e saj për garat e ardhshme ndërkombëtare.

Portalb.mk: Si do ta përshkruanit rrugëtimin deri te medalja e bronztë në Kampionatin Botëror Universitar të Karatesë në Brazil? Me çfarë sfidash dhe përgatitjesh u përballët gjatë këtij procesi?

Rudina Aliu: Gjatë këtij muaji u mbajt Kampionati Botëror Universitar i Sporteve Luftarake në Brasília të Brazilit, ku morën pjesë më shumë se 1.500 sportistë nga e gjithë bota. Pjesë e këtij kampionati ishte edhe reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut në karate, ku në secilën kategori garonin vetëm sportistët më të mirë. Ne, si ekipi i vajzave, në xhiron e parë u përballëm me Australinë, të cilën e mposhtëm bindshëm, duke u kualifikuar në çerekfinale. Më pas u ndeshëm me Kilin, ku gjithashtu fituam bindshëm dhe siguruam medaljen e bronztë. Ishte një rrugëtim shumë i gjatë dhe sfidues, me stërvitje të rënda të përditshme dhe shumë sakrifica. Në fund arritëm t’ia sjellim Maqedonisë së Veriut një medalje historike të bronztë nga ky kampionat.

Portalb.mk: Sa e fortë ishte konkurrenca në kampionat dhe si e përjetuat garimin në një skenë botërore?

Rudina Aliu: Konkurrenca në Kampionatin Botëror ishte jashtëzakonisht e fortë, pasi u përballëm me shtete që janë fuqi botërore në karate. Si një shtet i vogël, e kemi shumë më të vështirë të arrijmë rezultate të tilla. Megjithatë, edhe pse vijmë nga një vend me mungesë kushtesh dhe mbështetjeje financiare, motivimi dhe përkushtimi ynë ndaj këtij sporti na bënë të mos shohim se kush ishte përballë nesh. Luftuam me zemër e me shpirt dhe arritëm ta fitojmë medaljen.

Foto nga arkivi personal i Rudina Aliut

Portalb.mk: Si e vlerësoni zhvillimin e karatesë në Maqedoninë e Veriut? Çfarë mendoni se i nevojitet këtij sporti për të ecur përpara dhe për të nxjerrë edhe më shumë sportistë në nivel ndërkombëtar?

Rudina Aliu: Ne, si sportistë dhe karateistë në Maqedoninë e Veriut, përballemi me shumë sfida, pasi sporti nuk financohet dhe nuk mbështetet ashtu siç duhet. Shumicën e shpenzimeve për gara, përgatitje dhe udhëtime i mbulojmë vetë. Edhe pas sukseseve ndërkombëtare, shpesh marrim vetëm premtime, pa mbështetje konkrete. U bëj apel të gjitha institucioneve përgjegjëse për sportin që të investojnë më shumë dhe të mbështesin financiarisht të rinjtë sportistë. Maqedonia e Veriut ka shumë talente, por fatkeqësisht shumë prej tyre detyrohen të heqin dorë nga sporti për shkak të mungesës së financave.

Portalb.mk: Pas këtij kampionati, cilat janë synimet dhe garat ku do të përqendroheni në vazhdim?

Rudina Aliu: Pas këtij kampionati na presin edhe shumë gara sfiduese. Gara e radhës është Kampionati Evropian Universitar në Tiranë. Më pas do të marr pjesë në Ligën Botërore në Salzburg, në turneun ndërkombëtar në Limassol të Qipros, në Ligën Botërore në Tbilisi të Gjeorgjisë, si dhe në shumë gara të tjera të nivelit botëror gjatë vitit 2027. Po përgatitem maksimalisht që edhe në këto gara të ngjitem në podium dhe ta bëj krenar gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut.

Portalb.mk: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve, veçanërisht vajzave, që duan të merren me karate ose me sport në përgjithësi?

Rudina Aliu: Unë, si Rudina Aliu, sportiste dhe studente, u them të gjitha vajzave: mos i shuani kurrë ëndrrat tuaja. Punoni çdo ditë për t’i realizuar ato, pavarësisht se çfarë ëndrre keni. Me punë, përkushtim dhe besim në vetvete, çdo gjë është e mundur. Fuqia e një gruaje është një nga fuqitë më të mëdha në botë. Ndërtoni karrierën tuaj me dinjitet, punoni fort në çdo hap të jetës dhe mos hiqni dorë kurrë nga synimet tuaja.

Foto nga arkivi personal i Rudina Aliut
SportTë rinj - Rini - Rinia