Rrugë pa kthim: Pse Maqedonia duhet të qëndrojë në rrugën evropiane

Parlamenti Evropian sërish na dërgoi një mesazh të qartë: Maqedonia e Veriut duhet të zbatojë marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë dhe të vazhdojë reformat në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike, sepse nuk ka “rrugë të shkurtra” kur bëhet fjalë për parimet themelore të Bashkimit Evropian.

Ky nuk është vetëm një opinion teknik apo frazë diplomatike. Është një mesazh strategjik dhe gjeopolitik: Bashkimi Evropian sheh zgjerimin si një hapi vendimtar për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, në një botë të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme.

Çfarë do të thotë kjo për ne?

Procesi i integrimit evropian prej kohësh nuk është vetëm një reformë ligjore apo institucionale. Ai është bërë pasqyrë e pjekurisë sonë kolektive dhe fushë ku përplasen çështje të vjetra bilaterale të cilat, nëse nuk zgjidhen në frymën e standardeve evropiane, kthehen në pengesa që e ndalojnë rrugën tonë drejt BE-së.

Ndërkohë, paqja dhe siguria në kontinentin tonë dhe më gjerë po testohen në shumë fronte: konfliktet e hapura, situata në lindjen e mesme, tensionet në rritje gjeopolitike të gjitha rrisin pasigurinë globale. Në një situatë të tillë, izolimi nuk është një opsion, dhe as aleancat alternative nuk mund të na ofrojnë perspektivën dhe mbrojtjen që Bashkimi Evropian mund të japë.

BE-ja nuk është vetëm një hapësirë ekonomike apo treg i madh; ajo është një arkitekturë vlerash, sundimi i ligjit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, fuqizimi i institucioneve demokratike. Ky ka qenë thelbi i ekzistencës së saj që nga pas Luftës së Dytë Botërore. Prandaj edhe Parlamenti Evropian thekson: nuk ka rrugë të shkurtra dhe as kompromis me parimet themelore.

Për ne, ky nuk është vetëm një udhëzim për politika të brendshme, por një thirrje e fortë për të qëndruar të bashkuar me familjen evropiane. Çdo justifikim për të u larguar nga kjo rrugë është i pamjaftueshëm. Siguria, stabiliteti dhe perspektiva e ardhshme e vendit tonë janë të lidhura ngushtë me përpjekjet tona për integrim.

Në botën ku çdo ditë sjell ndryshime dramatike dhe shpesh të dhimbshme, pozicioni ynë brenda BE-së nuk është privilegj, por nevojë strategjike, për të mbrojtur qytetarët tanë, për të forcuar institucionet tona dhe për të siguruar që të mos jemi kurrë më të pambrojtur ndaj tronditjeve globale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit