Dy persona, të cilët ishin të dënuar, u përleshën në Institutin Publik Shëndetësor Spitalin Psikiatrik “Shkup” në Bardovcë mbrëmë rreth orës 00:50. Për shkak të lëndimeve të marra, 62-vjeçari I.T. nga Lubanci, rajoni i Shkupit, vdiq në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, transmeton Portalb.mk.
Sipas raportit nga SPB Shkup, një përleshje fizike shpërtheu në një dhomë të departamentit gjyqësor midis D.S. (35) nga Negotina dhe I.T. Pasi u godit me një shishe qelqi, I.T. ra pa ndjenja. Ai u transferua me urgjencë në Qendrën e Urgjencës, ku në orën 02:20 të mëngjesit një mjek e shpalli të vdekur. Trupi i të ndjerit u dorëzua për autopsi me urdhër të prokurorit publik.
D.S., i cili u dënua për veprën penale – vrasje, po mbahet në dhomën ku ndodhi incidenti. I ndjeri I.T. ishte i dënuar për dhunë në familje.
Rasti është duke u hetuar, dhe pas dokumentimit të plotë, Ministria e Brendshme thotë se do të ngrihet procedurë përkatëse.