Rrahja me motive etnike në Tetovë: Paraburgim për një të rritur, procedurë kundër 7 të miturve

Një person i rritur ka përfunduar në paraburgim, ndërsa kundër shtatë personave të mitur prokuroria ka ngritur procedurë pasi një grup maqedonasish rrahën dy nxënës shqiptarë në Tetovë, raporton Portalb.mk

Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ngriti procedurë kundër një të rrituri dhe 7 të miturve për veprën penale “Dhunë” sipas nenit 386, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal. 

“Me propozim të Prokurorisë Themelore Publike Tetovë është caktuar masa paraburgim i shkurtër prej 48 orëve për një person të rritur”, thanë nga Gjykata e Tetovës. 

Siç sqarojnë nga Prokuroria, paraburgimi është caktuar me qëllim marrjen e provave në lidhje me pjesëmarrjen e tij në ngjarje. 

“Për të miturit, procedura zhvillohet sipas Ligjit për Drejtësinë për Fëmijët”, thanë nga Prokuroria Publike. 

Mbrëmjen e 3 shtatorit një grup maqedonasish kanë rrahur dy nxënës të shkollës ekonomike të Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime trupore, për çka ishin dërguar edhe në Spitalin Klinik të Tetovës. 

Policia më pas arrestoi dy persona, ndërsa kreu bisedë informative me 16 të rinj. 

Në fund të muaji gusht në Manastir, disa persona të panjohur rreth 20 vjeç iu afruan një personi për t’i zhveshur bluzën që kishte veshur, e cila kishte të vizatuar një kokë shqiponje në pjesën e përparme dhe të pasme.

Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë. 

Dhuna ndaj fëmijëveDhunë - DhunaGjuha e urrejtjesGjykata Themelore TetovëProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMVSPB TetovëTetova