RMV promovoi shtetin digjital, por institucionet ende nuk janë gati për zbatimin praktik

Aplikacioni mobil m.Uslugi, i promovuar me pompozitet nga Ministria e Transformimit Digjital si hap drejt shtetit digjital, në fazën e parë ofron vetëm tri shërbime elektronike. Ndërkohë, pranimi praktik i dokumenteve digjitale në institucione mbetet çështje që kërkon koordinim dhe harmonizim të mëtejshëm, ndërsa për zgjerimin e shërbimeve nuk është dhënë një afat konkret. Kjo e vendos në pikëpyetje se deri në ç’masë qytetarët mund ta shfrytëzojnë tashmë aplikacionin për të kryer procedura pa dokumente fizike dhe pa vizita në sportele, shkruan Portalb.mk.

Në përgjigjen për Portalb.mk, Ministria e Transformimit Digjital pretendon se dokumentet elektronike të qasshme përmes m.Uslugi janë ligjërisht të vlefshme, në përputhje me Ligjin për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara. Sipas saj, ato nuk janë fotografi apo kopje të dokumenteve fizike, por dokumente elektronike, autenticiteti i të cilave mund të verifikohet përmes kodit QR.

Megjithatë, vetë Ministria pranon se institucionet duhet ta harmonizojnë veprimin e tyre me kornizën ligjore dhe se po punohet për koordinimin me to, në mënyrë që dokumentet të përdoren në praktikë në procedurat përkatëse. Kjo nënkupton se vlefshmëria ligjore e dokumenteve dhe pranimi i tyre në praktikën institucionale nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë.

“Dokumentet elektronike të disponueshme përmes m.Uslugi janë dokumente ligjërisht të vlefshme, në përputhje me Ligjin për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besimit. Ato nuk janë fotografi ose kopje, por dokumente elektronike me mundësinë e kontrollit të autenticitetit të tyre nëpërmjet kodit QR. Institucionet duhet të harmonizojnë veprimet e tyre me kornizën ligjore, ndërsa Ministria po punon në mënyrë aktive për koordinimin me ta për zbatimin e tyre praktik në të gjitha procedurat përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Dallimi u bë i dukshëm edhe pas deklaratës së ministrit Stefan Andonovski, i cili tha se qytetarët duhet t’i mbajnë me vete letërnjoftimet dhe patentat fizike kur policia i ndalon për identifikim, pasi nevojiten ndryshime ligjore dhe nënligjore.

“Nëse policia ju ndalon për t’ju identifikuar dhe ju kërkon letërnjoftimin ose patentën e shoferit, do të duhet t’i paraqitni dokumentet fizike, në formë kartele plastike. Nevojiten ndryshime në ligje dhe rregullore, por po punohet për këtë. Deri atëherë, mbajini me vete edhe dokumentet plastike“, deklaroi ministri Stefan Andonovski për Sdk.mk.

Pra, ndonëse dokumentet promovohen si pjesë e digjitalizimit, qytetarët ende nuk mund të mbështeten plotësisht te versionet elektronike në çdo situatë.

Vetëm tri shërbime në fazën e parë

Ministria thotë se m.Uslugi nuk është vetëm një portofol digjital për ruajtjen e dokumenteve, por mundëson edhe parashtrimin e kërkesave për shërbime elektronike, ndjekjen e statusit të tyre dhe marrjen e dokumenteve drejtpërdrejt në telefon, pa vizituar sportelet.

“mServices është shumë më tepër sesa një portofol dokumentesh dixhitale. Qytetarët mund të paraqesin kërkesa për shërbime elektronike, të monitorojnë statusin e tyre dhe të marrin dokumente direkt në telefonin e tyre, pa vizituar një sportel. Përveç kësaj, ata kanë qasje në dokumentet e tyre elektronike, të cilat janë ligjërisht të vlefshme dhe autenticiteti i të cilave mund të kontrollohet elektronikisht”, thonë për Portalb.mk nga Ministria.

Në fazën e parë, aplikacioni m.Uslugi ofron letërnjoftimin elektronik, patentën elektronike dhe qasje në dokumentet M1/M2 dhe M4, që lidhen me sigurimin social dhe evidencën e stazhit të punës, pagave dhe kompensimeve. Megjithatë, në përgjigjen për Portalb.mk, Ministria e Transformimit Digjital nuk i specifikoi veçmas këto shërbime, por vetëm konfirmoi se përmes aplikacionit qytetarët mund të parashtrojnë kërkesa dhe të marrin dokumente elektronike pa vizituar sportelet.

Ministria synon që gradualisht edhe shërbimet e tjera të disponueshme në portalin shtetëror uslugi.gov.mk të integrohen në aplikacionin mobil, por nuk dha një afat konkret për këtë proces.

Aplikacioni është ndërtuar mbi infrastrukturën ekzistuese të Portalit Kombëtar për Shërbime Elektronike dhe sistemet përkatëse për regjistrat, identifikimin elektronik dhe ndërveprimin ndërmjet institucioneve. Megjithatë, përtej kësaj infrastrukture, sfida kryesore mbetet se sa shpejt institucionet do t’i integrojnë shërbimet e tyre dhe do t’i zbatojnë dokumentet elektronike në procedurat e përditshme.

“.Uslugi është ndërtuar mbi infrastrukturën ekzistuese të Portalit Kombëtar për Shërbime Elektronike/CRN/eID dhe ndërveprimit. Në fazën e parë, janë në dispozicion tre shërbime elektronike, përmes të cilave qytetarët mund të paraqesin një kërkesë dhe të marrin një dokument elektronik pa vizituar një sportel. Paralelisht, po punohet për integrimin e shërbimeve dhe institucioneve të reja. Qëllimi është që gradualisht të gjitha shërbimet e disponueshme në portalin uslugi.gov.mk të jenë të disponueshme në mënyrë modulare përmes aplikacionit celular”, thonë nga Ministria.

Pa afate konkrete për zgjerimin e shërbimeve

Për pyetjen se kur aplikacioni do të jetë plotësisht funksional, Ministria përgjigjet se ai është tashmë funksional dhe se do të zhvillohet vazhdimisht. Sipas saj, shërbimet e reja do të shtohen në faza, në varësi të koordinimit me institucionet dhe gatishmërisë së tyre teknike.

“Aplikacioni është tashmë funksional dhe i disponueshëm për qytetarët. Ashtu si çdo platformë moderne digjitale, ai do të përmirësohet vazhdimisht me shërbime, dokumente dhe funksionalitete të reja. Zgjerimi do të zbatohet në faza, në koordinim me institucionet dhe në përputhje me gatishmërinë e tyre teknike. Nuk ka një version përfundimtar, pasi qëllimi është zhvillimi i vazhdueshëm”, thuhet në përgjigje.

Por përgjigjja nuk përmban një plan kohor konkret për shtimin e shërbimeve, as afate për përfshirjen e institucioneve. Ministria e arsyeton këtë qasje me faktin se aplikacioni nuk ka një version përfundimtar dhe se do të përditësohet vazhdimisht. Për qytetarët, megjithatë, mbetet e paqartë se kur do të mund t’i kryejnë në mënyrë tërësisht digjitale më shumë procedura administrative.

Në fazat e ardhshme janë paralajmëruar edhe pagesat e integruara për taksat dhe tarifat administrative, si dhe një zgjidhje për përdorimin e fotografive në procedurat ku ato kërkohen. Ministria nuk ka specifikuar se kur do të bëhen të disponueshme këto funksionalitete dhe në cilat procedura do të mund të përdoren fotografitë.

“Pagesat e integruara do t’u mundësojnë qytetarëve të paguajnë taksat dhe tarifat administrative direkt përmes aplikacionit, pa hapa shtesë. Lidhur me fotot, po punohet për një zgjidhje që do të mundësojë përdorimin e tyre në procedurat ku janë të nevojshme, në përputhje me kërkesat ligjore dhe të sigurisë. Qëllimi është që sa më shumë procedura të përfundohen plotësisht në mënyrë digjitale”, thonë nga Ministria.

Kështu, për momentin, m.Uslugi ofron një numër të kufizuar shërbimesh, ndërsa zgjerimi i tij dhe përdorimi më i gjerë i dokumenteve elektronike varen nga hapat e ardhshëm të institucioneve. Synimi për një administratë që ofron shërbime pa sportele mbetet i shpallur, por përgjigjet e Ministrisë nuk japin ende afate konkrete se kur qytetarët do të mund ta përjetojnë këtë në praktikë.

Ndryshe, më 28 tetor, me pompozitet të madh u promovua aplikacioni mobil m.Uslugi, i prezantuar si një hap drejt digjitalizimit të shërbimeve publike në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, pa mundësi të përdorimit në institucione të dokumenteve personale elektronike, ky aplikacion mbetet në suazat e PR.

DigjitalizimDokumente personaleMinistria e Transformimit Digjital (MTD)Shërbime elektronike - digjitale shetërore