RMV me uebfaqe të re me të dhëna për ethet e Nilit Perëndimor, numri ka arritur në 53

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot mbajti një konferencë për shtyp, në të cilën informoi për zhvillimet e fundit lidhur me epideminë e etheve të Nilit Perëndimor. Aktualisht janë gjithsej 53 pacientë të cilët e kanë kaluar, e kanë ose dyshohet se kanë ethet e Nilit Perëndimor, prej të cilëve 50 raste janë të konfirmuara, ndërsa tre raste janë të dyshuara dhe pacientët janë të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive. Gjithsej 52 pacientë kanë formë neuroinvazive, transmeton Portalb.mk.

Nga Klinika për Sëmundje Infektive, 25 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar për trajtim shtëpiak, ndërsa, për fat të keq, janë evidentuar pesë raste me përfundim fatal. Aktualisht, 21 pacientë janë të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive, prej të cilëve gjashtë janë në kujdes intensiv, informoi ministri Klekovski.

Ai theksoi se është nxjerrë udhëzim i përditësuar për mjekët në klinika, si dhe për mjekët amë, me qëllim që t’u kushtojnë vëmendje të veçantë pacientëve që marrin terapi imunosupresive.

“Sa i përket aktiviteteve parandaluese që po ndërmerren, ka përfunduar raundi i katërt i spërkatjes kundër mushkonjave të rritura në Shkup. Me qëllim të informimit në kohë dhe transparent të publikut për këtë çështje, kemi përgatitur një faqe të re interneti të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, për të mundësuar pasqyrimin e të gjitha të dhënave nga institucionet kompetente, paraqitjen e zonave me rrezik, aktivitetet parandaluese të ndërmarra në secilën zonë, si dhe të dhëna të tjera përkatëse. Aktualisht janë kryer spërkatje të jashtëzakonshme kundër mushkonjave, sipas indikacioneve, në gjashtë nga zonat me rrezik, ndërsa pas datës 14 gusht, në përputhje me gjendjen e evidentuar më parë, janë kryer spërkatje të jashtëzakonshme sipas indikacioneve në disa zona, ndër të cilat Kisela Vodë (Draçevë), kanalet në Gazi Babë, Zelenikovë, Studeniçan, Butel dhe Gjorçe Petrov”, shtoi Klekovsk

Faqja është e qasshme në lidhjen e mëposhtme: http://www.healthalert.mk/

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.

Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Ethet e Nilit PerëndimorISHPMinistria e Shëndetësisë (MSH)Sasho Klekovski