RMV, Kuvendi ratifikoi Marrëveshjen me Mbretërinë e Bashkuar, versioni në anglisht u nënshkrua me funksion inekzistent

Kuvendi pasdite (28.05.2025) miratoi Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut në lidhje me partneritetin për zbatimin e projekteve infrastrukturore, raportoi Portalb.mk.

Votuan 82 deputetë, nga të cilët 76 votuan “Për” dhe 6 “Kundër”, pa abstenime.

Në versionin e gjuhës angleze të marrëveshjes, siç është postuar në faqen e internetit të Kuvendit, në vend të Zëvendëskryeministrit, nënshkrimi i Aleksandar Nikoloskit shfaqet nën pozicionin e Zëvendëspresidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas opozitës, kjo e bën marrëveshjen të pavlefshme, ndërsa sipas qeverisë, është vetëm një gabim teknik. Në versionin në gjuhën maqedonase, funksioni i Nikoloskit është shkruar saktë.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski, përsëri në një konferencë për shtyp duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske, tha se kreditë që do të rezultojnë nga marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar nuk do të bazohen në bazë të shkallës kreditore në Maqedoni, por në atë të Britanisë, dhe kjo do të mundësojë norma interesi më të ulëta se 4.5 përqind.

Edhe pse Mickoski tha se norma e interesit do të jetë më e ulët sepse “po përdorim vlerësimin e kreditit të Mbretërisë së Bashkuar, i cili do të jetë AAA”, duket se kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Domethënë, pas referendumit për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, vlerësimi i kreditit të Mbretërisë së Bashkuar u ul nga agjencitë në AA.

Ndryshe, Marrëveshja e Partneritetit për Financimin e Infrastrukturës u nënshkrua më 22 maj 2025 në Londër, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar bashkëpunimin midis Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushat e energjisë, shëndetësisë, transformimit digjital dhe infrastrukturës kritike. Kjo është një zgjerim logjik i marrëveshjeve dypalëshe të vendosura tashmë mbi partneritetin strategjik, tregtinë, mbrojtjen dhe sigurinë.

Shtojca A e marrëveshjes përfshin rindërtimin e spitaleve në disa rajone, ndërtimin e një hekurudhe me shpejtësi të lartë përgjatë Korridorit 10, zhvillimin e Korridorit 8, digjitalizimin e administratës publike dhe forcimin e kapaciteteve energjetike. Megjithatë, nuk ka detaje specifike rreth asnjërit prej projekteve.

Për zbatimin e kësaj marrëveshje, pesë ministri do të jenë përgjegjëse, ajo për transport, shëndetësi, energji, transformim digjital dhe punë të jashtme.

Ndryshe, Platforma e Organizatave Civile për Luftimin e Korrupsionit kishin reaguar ndaj jotransparencës në procesin e negociatave të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me partneritetin për realizimin e projekteve infrastrukturore, ose siç e quan Qeveria, “Marrëveshje Qeveri me Qeveri”. Kjo është marrëveshja e dytë e këtij lloji, dhe ashtu si marrëveshja me Republikën e Hungarisë, u nënshkrua pa u informuar paraprakisht dhe në kohë publiku për detajet dhe kushtet që pranohen.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit Gareth Thomas më 22 maj kanë nënshkruar marrëveshjen për zbatimin e objekteve infrastrukturore në Londër, e cila i jep vendit mundësinë të marrë kredi prej pesë miliardë paundësh për zbatimin e projekteve kapitale.

Ambasada e Britanisë - Anglisë në RMVAnglia - Britania e MadheHristijan Mickoski HristianMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut