Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore, thuhet në raportin e vitit 2026 mbi Trafikimin e Personave: Maqedonia e Veriut të departamentit të SHBA-së. Raporti e lavdëron Qeverinë se ka dëshmuar rritje të përgjithshme të përpjekjeve krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, e këto përpjekje përfshijnë dënimin e një numri më të madh trafikantësh dhe ndryshimin e Kodit Penal, me të cilin lypja e detyruar nga prindërit dhe kujdestarët e tjerë përfshihet si formë e trafikimit të fëmijëve. Mirëpo, nga ana tjetër thekson edhe se, qeveria nuk i ka përmbushur standardet minimale në disa fusha shumë të rëndësishme, raporton Portalb.mk.
“Institucionet kanë hetuar dhe ndjekur penalisht më pak persona të dyshuar për trafikim dhe kanë identifikuar më pak viktima. Gjykatat u kanë shqiptuar trafikantëve dënime me burgim nën minimumin e paraparë ligjor, ndërsa Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHKOК) nuk ka pasur burime të mjaftueshme për t’i trajtuar të gjitha rastet që janë në kompetencë të saj. Qeveria nuk ka ofruar ndihmë të specializuar për viktimat meshkuj dhe nuk ka shërbime afatgjata mbështetëse për të gjitha viktimat. Për shkak të identifikimit jo të njëtrajtshëm të viktimave nga autoritetet, qeveria nuk ka arritur të parandalojë në mënyrë efektive ndëshkimin e papërshtatshëm të viktimave të mundshme vetëm për veprime të paligjshme të kryera si pasojë e drejtpërdrejtë e trafikimit”, thuhet në raport.
Trafikantët dënohen nën minimumin ligjor, korrupsioni dhe mungesa e prokurorëve pengojnë ndjekjen penale
Qeveria i ka rritur lehtësisht përpjekjet për zbatimin e ligjit, vlerësohet në raport.
Në vitin 2025, thuhet më tej qeveria hetoi pesë raste, krahasuar me gjashtë raste në vitin 2024. Ajo vazhdoi hetimin e tri rasteve që përfshinin 13 të dyshuar, të nisura në vitet paraprake. Qeveria ngriti aktakuza kundër 12 të pandehurve (shtatë për trafikim me qëllim shfrytëzimin seksual dhe pesë për trafikim me qëllim shfrytëzimin për punë), krahasuar me 20 të pandehur në vitin 2024. Gjykatat dënuan gjashtë persona për trafikim me qëllim shfrytëzimin seksual, krahasuar me katër trafikantë në vitin 2024. Një trafikant u dënua me dy vjet burgim, ndërsa pesë të tjerët u dënuan me burgim nga gjashtë deri në nëntë muaj. Këto dënime nuk ishin në përputhje me minimumet e parapara ligjore dhe nuk pasqyronin natyrën e veprës penale.
“Qeveria nuk raportoi për asnjë hetim, ndjekje penale apo dënim të zyrtarëve shtetërorë të dyshuar për bashkëpunim në veprat penale të trafikimit. Megjithatë, korrupsioni dhe bashkëpunimi i zyrtarëve në këto vepra mbetën shqetësime të mëdha, duke penguar veprimet e organeve të zbatimit të ligjit gjatë vitit”, thuhet në raport.
Raporti thekson mungesën e personelit të Prokurorisë.
“Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHNKOK) i ndiqte penalisht të gjitha rastet e trafikimit, por kishte vetëm 13 prokurorë për trajtimin e të gjitha veprave penale që ishin në kompetencën e saj. Për këtë arsye, asaj i mungonin personeli dhe kapacitetet për t’i shqyrtuar rastet brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet në raport.
Raporti nënvizon se policët në nivel lokal nuk kishin njohuri të mjaftueshme për trafikimin dhe nuk e njoftonin në mënyrë të rregullt grupin e punës për rastet e mundshme. Ngjashëm, disa prokurorë të zonave nuk i referonin rastet e mundshme të trafikimit në PTHNKOK, përdornin vepra penale me dënime më të lehta për ndjekjen penale të të dyshuarve për trafikim dhe disa raste të trafikimit ndërkombëtar i trajtonin si kontrabandim të migrantëve, për shkak të pragut më të ulët të provave të nevojshme ose ngatërrimit të këtyre dy veprave penale nga ana e zyrtarëve.
Viktimat e trafikimit ranë nga 39 në tri, mungojnë strehimi afatgjatë dhe ndihma e specializuar
Raporti thekson se Qeveria i ruajti përpjekjet për mbrojtjen e viktimave, megjithatë në vitin 2025, identifikoi dhe referoi për përkujdesje tri viktima, krahasuar me 39 viktima në vitin 2024. Nga tri viktimat e identifikuara, dy ishin shfrytëzuar për trafikim me qëllim shfrytëzimin seksual dhe një për shfrytëzim për punë. Dy viktima ishin vajza, ndërsa një ishte burrë. Asnjëra prej tyre nuk ishte shtetase e huaj.
“Vëzhguesit raportuan se policia lokale nuk i kontrollonte në mënyrë të rregullt personat e mundshëm viktima, përfshirë migrantët, për shenja të trafikimit gjatë operacioneve policore në kazino, klube nate dhe bare. Po ashtu, zyrtarët kufitarë nuk kryenin kontrolle të rregullta në pikat kufitare dhe nuk kishin përkthyes për të komunikuar me viktimat e mundshme”, thuhet në raport.
Qeveria, thuhet më tej, ofroi strehim, kujdes shëndetësor, këshillim, shërbime juridike dhe ndihmë për riatdhesim, drejtpërdrejt dhe përmes partneriteteve me organizatat e shoqërisë civile. Ajo ndau 4,3 milionë denarë (82.440 dollarë) për ndihmë të drejtpërdrejtë ndaj viktimave në një strehimore të drejtuar nga një organizatë joqeveritare dhe të financuar nga qeveria. Kjo shumë ishte më e lartë krahasuar me 3,8 milionë denarë (72.850 dollarë) në vitin 2024.
Qeveria ndau 41.600 denarë (800 dollarë) në muaj për çdo viktimë për shpenzimet operative, krahasuar me 36.588 denarë (700 dollarë) në vitin 2024. Financimi qeveritar mbulonte një pjesë të shpenzimeve operative të strehimores, ndërsa kjo e fundit varej shumë nga financimi i huaj për të vazhduar funksionimin.
Qeveria nuk ofroi ndihmë të specializuar për viktimat e rritura meshkuj, por, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, u siguroi atyre strehim alternativ. Strehimorja e drejtuar nga organizata joqeveritare pranonte gra dhe fëmijë viktima, por qeveria nuk kishte mundësi për strehim afatgjatë dhe nuk mund t’i akomodonte viktimat kur strehimorja ishte e mbushur. Në vitin 2025, kjo strehimore u ndihmoi 10 viktimave.
Ron Lach/Pexels
“Qeveria i akomodonte viktimat e mundshme të huaja të trafikimit në qendrën transitore, nga e cila ato nuk mund të largoheshin pa leje qëndrimi të përkohshme. GRETA raportoi se qendrës transitore i mungonte personeli i specializuar dhe se ajo “nuk ishte objekt i përshtatshëm” për ndihmën ndaj viktimave të trafikimit”, thuhet në raport.
Raporti nënvizon se Qeveria caktoi kompensim për viktimat si pjesë të dënimeve penale. Gjykatat urdhëruan nëntë trafikantë të paguanin gjithsej 700.000 denarë (13.420 dollarë) si kompensim. Qeveria mbajti funksional fondin për kompensimin e viktimave dhe u garantoi viktimave të trafikimit të drejtën për kompensim në vlerë prej 120.000 deri në 270.000 denarë (2.300–5.180 dollarë), përfshirë edhe rastet kur nuk zhvillohet procedurë penale kundër kryerësit.
Për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme për identifikimin e viktimave, qeveria nuk arriti të parandalojë në mënyrë efektive ndëshkimin e papërshtatshëm të viktimave të mundshme vetëm për veprime të paligjshme të kryera si pasojë e drejtpërdrejtë e trafikimit.
“Ashtu si në vitet paraprake, raportet tregojnë se policia lokale ka ndaluar dhe dëbuar viktima të mundshme, përfshirë persona të përfshirë në punë seksuale komerciale, pa kontrolluar nëse kishte shenja të trafikimit dhe pa njoftuar grupin e punës”, thuhet në raport.
Qeveria mbajti ekipe mobile në pesë rajone, të përbëra nga punonjës socialë, zyrtarë të zbatimit të ligjit, pjesëtarë të organizatave joqeveritare dhe psikologë, për identifikimin dhe ndihmën ndaj grupeve të cenueshme, përfshirë viktimat e trafikimit. Megjithatë, qeveria nuk ndau fonde të posaçme për mbështetjen e ekipeve mobile, duke e lënë të pasigurt vazhdimësinë e punës së tyre.
Qeveria nuk ndërmori masa për uljen e kërkesës për shërbime seksuale
Raporti thekson se Qeveria i ruajti përpjekjet për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore.
“Qeveria ndau 408.320 denarë (7.830 dollarë) për aktivitetet parandaluese, përfshirë fushatat për ngritjen e vetëdijes, krahasuar me 409.786 denarë (7.850 dollarë) në vitin 2024. Në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe organizatat ndërkombëtare, qeveria zhvilloi aktivitete për informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut, të drejtuara ndaj grupeve të cenueshme nga trafikimi. Ajo financoi një organizatë joqeveritare për të administruar një linjë telefonike kundër trafikimit, për t’u ardhur në ndihmë viktimave të mundshme”, thuhet në raport.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) administronte linjën telefonike dhe aplikacionin në internet “Red Button” (Butoni i Kuq), të dedikuara për raportimin e abuzimit me fëmijët, trafikimit me qenie njerëzore dhe veprave të tjera penale.
Qeveria nuk ndërmori asnjë veprim për të ulur kërkesën për shërbime seksuale komerciale. Ajo e rregulloi në mënyrë efektive veprimtarinë e rekrutuesve të punëtorëve dhe i mbajti ata përgjegjës në aspektin civil dhe penal për rekrutimin mashtrues. Megjithatë, ligjet e punës e lidhin lejen e punës për shtetasit e huaj me një punëdhënës të caktuar dhe kërkojnë leje të re pune për ndërrimin e vendit të punës, duke e rritur rrezikun e trafikimit me qenie njerëzore.
Gratë, fëmijët romë dhe migrantët në rrezik nga trafikimi, raportohen dyshime për përfshirje të policëve
Raporti thotë se trafikantët shfrytëzojnë viktima vendase dhe të huaja në Maqedoninë e Veriut, ndërsa viktimat nga Maqedonia e Veriut shfrytëzohen nga trafikantët edhe jashtë vendit. Gratë dhe vajzat në Maqedoninë e Veriut shfrytëzohen për trafikim me qëllim shfrytëzimin seksual dhe punën e detyruar brenda vendit, në restorante, bare dhe klube nate.
Trafikantët, të cilët shpesh janë të afërm ose miq të ngushtë të viktimave, shfrytëzojnë fëmijët romë për lypje të detyruar dhe trafikim seksual në kuadër të martesave të detyruara. Trafikantët po rekrutojnë gjithnjë e më shumë viktima përmes profileve të rreme në rrjetet sociale dhe aplikacioneve të ndryshme në internet.
Trafikantët që shfrytëzojnë viktimat për qëllime seksuale rekrutojnë shtetase të huaja nga Evropa Lindore, Ballkani dhe Amerika e Jugut, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Brazilin, Kolumbinë, Kosovën, Moldavinë, Rumaninë, Rusinë, Serbinë dhe Ukrainën.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe viktimat e huaja që kalojnë tranzit nëpër vend shfrytëzohen për trafikim seksual dhe punë të detyruar në sektorët e ndërtimtarisë dhe bujqësisë në vendet e Evropës Jugore, Qendrore dhe Perëndimore.
Migrantët dhe refugjatët që udhëtojnë përmes Maqedonisë së Veriut, veçanërisht gratë dhe fëmijët e pashoqëruar, janë të cenueshëm ndaj trafikimit. Organizatat joqeveritare raportojnë se fëmijët me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike janë gjithnjë e më të rrezikuar nga trafikimi.
Zyrtarët dhe vëzhguesit vazhduan të raportojnë se policët e rangut mënj të ulët mund të jenë të përfshirë në trafikim, përfshirë fshehjen e provave, pranimin e ryshfetit, ndryshimin e itinerareve të patrullimit në favor të autorëve, njoftimin paraprak të autorëve përpara aksioneve policore ose përfshirjen e drejtpërdrejtë në krimin e organizuar.
Kujtojmë se dhe raporti i vitit të kaluar, vlerësoi se autoritetet e Maqedonisë së Veriut po bëjnë përpjekje të konsiderueshme, por vendi nuk i përmbushte plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Qeveria, u tha në atë raport, ka demonstruar rritje të përpjekjeve të përgjithshme krahasuar me periudhën paraprake të raportimit, megjithatëProkuroria për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin u kritikua për mungesë të burimeve të mjaftueshme për t’i zgjidhur të gjitha rastet.