RMV-ja dhe Britania e Madhe nënshkruan protokollin për rregullat e origjinës, çfarë domethënë kjo?

Maqedonia e Veriut e ka nënshkruar me Britaninë e Madhe protokollin për rregullat e origjinës e njohur si ‘made in’) si pjesë e Marrëveshjes për partneritet, tregti dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve. Me pak fjalë, ky protokoll është një “certifikatë besimi” që mbron tregtinë dypalëshe dhe mban kostot e ulëta për prodhuesit dhe konsumatorët, transmeton Portalb.mk.

Protokolli u nënshkrua nga ministri i Jashtëm Timço Mucunski dhe ambasadori Mathju Lauson.

Protokolli për rregullat e origjinës mundëson zbatimin praktik dhe juridik të kumulimit të zgjeruar me materiale me origjinë nga Bashkimi Evropian, vendet e EFTA-s, si dhe nga vendet e tjera të përfshira në Konventën PEM, me të cilat të dyja shtetet zbatojnë tregti preferenciale.

“Kumulimi i zgjeruar i origjinës së mallrave do të kontribuojë drejtpërdrejt në avancimin e mundësive të eksportuesve maqedonas për të përfituar trajtim preferencial gjatë përcaktimit të origjinës së mallrave në tregtinë me Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për sektorët me zinxhirë kompleksë prodhimi dhe me pjesëmarrje të lartë të materialeve nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera të përfshira në Konventën PEM, si dhe në kontekstin e harmonizimit me marrëdhëniet e reja tregtare të Mbretërisë së Bashkuar pas daljes nga Bashkimi Evropian”, thanë nga Ministria e Jashtme.

Ata thonë se me nënshkrimin e këtij protokolli krijohen kushte për rritje të eksportit, hapje të vendeve të reja të punës, forcim të ekonomisë dhe siguri më të madhe ekonomike për qytetarët, përmes pozicionimit më të mirë të ekonomisë maqedonase në një nga tregjet më të rëndësishme evropiane.

Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

Ky protokoll përcakton se çfarë quhet produkt “Made in MK” ose “Made in UK”. Që një produkt të përfitojë nga tregtia e lirë, ai duhet të vërtetojë se është prodhuar kryesisht në këto vende, e jo thjesht i ri-paketuar.

Meqenëse Britania nuk është më pjesë e BE-së, kjo marrëveshje siguron që bizneset në vend të vazhdojnë të eksportojnë në UK me lehtësi, njësoj siç bënin më parë.

Ky dokument modernizon procedurat, duke i bërë ato më pak burokratike dhe më të qarta për kompanitë që merren me import-eksport.

Pse është e rëndësishme?

Mbretëria e Bashkuar është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë së Veriut (veçanërisht për industrinë e katalizatorëve, ushqimit dhe tekstilit). Pa këtë protokoll, mallrat mund të shtrenjtoheshin për shkak të tarifave të reja.

Ambasada e Britanisë - Anglisë në RMVAnglia - Britania e MadheMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)