Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH), me urdhër të ministrit Sasho Klekovski, ka nisur një inspektim të jashtëzakonshëm në Spitalin e Përgjithshëm të Strumicës, Spitalin Klinik të Shtipit dhe Klinikën Universitare të Neurologjisë në Shkup, ku është trajtuar 19-vjeçarja, shkruan Portalb.mk.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pas përfundimit të inspektimit do të hartohet raporti i ekspertëve dhe nëse konstatohen parregullsi apo lëshime, do të ndërmerren masat përkatëse. Institucioni thekson se gjatë gjithë procedurës do të respektohen dinjiteti, privatësia dhe të dhënat personale e mjekësore të pacientes, ndërsa u bën thirrje publikut të shmangë spekulimet dhe nxjerrjen e përfundimeve të parakohshme.
Po ashtu, MSH u apelon mediave dhe opinionit publik të respektojnë dinjitetin e punonjësve shëndetësorë, duke theksuar se përgjegjësia eventuale mund të përcaktohet vetëm pas përfundimit të mbikëqyrjes profesionale. Pas përfundimit të procedurës, Ministria premton se do ta informojë publikun në mënyrë transparente për gjetjet dhe hapat e mëtejshëm.
Rasti ka të bëjë me një 19-vjeçare nga fshati Banicë i Strumicës, e cila, pas një lindjeje me prerje cezariane në Spitalin Klinik të Shtipit, ka mbetur me paraplegji dhe lëviz me karrocë invalidore. Ajo është nënë e dy fëmijëve.
Ndryshe, ditë më parë një paciente e re mbeti e paralizuar në Spitalin Klinik të Shtipit pas një prerjeje cezariane.