Kuvendi, me propozim të kryeministrit Hristijan Mickoski, në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, shkarkoi ministrat: për Drejtësi – Igor Filkov, për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave – Cvetan Tripunovski, për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive – Igor Stoiljkoviq, për Shëndetësi – Azir Aliu, për Kulturë dhe Turizëm – Zoran Lutkov, për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini – Fatmir Limani, për Vetëqeverisje Lokale – Zlatko Perinski, si dhe Shaban Saliu nga pozita e ministrit pa resor, transmeton Portalb.mk.
Seanca erdhi pas rindërtimit të paralajmëruar prej kohësh të Qeverisë. Me propozim të kryeministrit Hristijan Mickoski, deputetët votuan për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov nga ZNAM, në vend të të cilit u propozua të emërohet Jeton Shasivari nga VLEN.
Më tej, Ivan Stoilkoviq, kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, u propozua të shkarkohet nga posti i ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, por pritet të marrë detyrën e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale.
Zllatko Perinski, ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, u shkarkua dhe do të marrë detyrën e drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor, ku aktualisht është në krye Sasho Klekovski. Ky i fundit u zgjodh nga Kuvendi si ministër i ri i Shëndetësisë, në vend të Azir Aliut.
Për ministër të Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive është Agon Ferati nga VLEN. Cvetan Tripunovski u shkarkua nga posti i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ndërsa në vend të tij do të emërohet Borçe Serafimovski nga ZNAM.
Fatmir Limani u shkarkua nga posti i ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa këtë funksion e merr Gjoko Velkovski nga VMRO-DPMNE.
Zoran Ljutkov u shkarkua nga posti i ministrit të Kulturës dhe Turizmit, ndërsa në vend të tij do të emërohet Sedat Sulejmani nga VLEN.
Në vend të Shaban Saliut, ministër pa resor, është propozuar Erxhan Demir nga VMRO-DPMNE.
Në seancë pritet kryeministri Mickoski arsyetoi shkarkimin e ministrave, të cilin e kishte paralajmëruar prej një kohe të gjatë.
“Sot u jap mirënjohje njerëzve të cilët në rrethana të ndryshme, në dikasterë të ndryshëm dhe me sfida të ndryshme dhanë kontributin e tyre në realizimin e programit për të cilin qytetarët na dhanë besimin. Edhe ju nga opozita do të flisni me floskula dhe të pavërteta, ndërsa unë me shifra dhe rezultate konkrete”, tha Mickoski.
Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, pas paraqitjes së propozimit për shkarkimin e një anëtari të Qeverisë hapet debat, i cili mund të zgjasë maksimumi dy ditë. Ministri për të cilin është paraqitur propozimi për shkarkim ka të drejtë të deklarohet për propozimin në një fjalim që zgjat deri në 15 minuta.
Ministrat e rinj zgjidhen me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Ndërkohë, kandidati për ministër të Bujqësisë nga radhët e ZNAM-it, Borçe Serafimovski, ka një biografi interesante akademike, pasi në Bullgari ka përfunduar studimet universitare, studimet pasuniversitare dhe ka mbrojtur edhe doktoraturën. Ndërkaq, kandidati për ministër të Kulturës, Sedat Sulejmani, ka qenë aktiv në sektorin civil dhe ka punuar edhe në Ministrinë e Kulturës gjatë qeverisjes së kaluar.
Pozicioni i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, të cilin e mbante Arben Fetai nga VLEN, nuk do të ekzistojë në qeverinë e rikonstruktuar. Ky funksion do të mbulohet nga kryeministri.