Në rikonstruimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut e udhëhequr nga Hristijan Mickoski pritet një rishpërndarje e disa ministrive dhe ndryshime në poste kyçe, shkruan Portalb.mk.
Sipas informacioneve jozyrtare, drejtori aktual i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, pritet të emërohet ministër i Shëndetësisë, ndërsa në vend të tij në krye të Fondit pritet të vijë ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski.
Në vend të Perinskit pritet të emërohet Ivan Stoilkoviq, i cili deri tani ka shërbyer si ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
Gjoko Velkovski nga pozita e zëvendësministrit pritet të avancohet në ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa ZNAM, sipas marrëveshjeve politike ende jozyrtare, pritet të marrë Ministrinë e Bujqësisë me Borçe Serafimovskin si drejtues të ri.
Ndërkohë, VLEN pritet të udhëheqë Ministrinë e Drejtësisë, Kulturës dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, ndërsa Shaban Saliu pritet të largohet nga posti i ministrit pa resor.
Jozyrtarisht mësohet se nga VLEN me Ministrinë ndërmjet Bashkësive do të udhëheq Muhamed Murtezi, ndërsa në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, pritet të emërohet Sedat Sulejmani.
Zëvendëskryeministri i Parë, Ministri i Çështjeve Evropiane dhe Sekretari i Përgjithshëm i VLEN, Bekim Sali, tha se do të ketë emra të rinj në ministritë e Drejtësisë dhe Kulturës, ndërsa se janë të kënaqur me punën e ministrave të tyre aktualë dhe se ata do të vazhdojnë.
Partneri tjetër i koalicionit në qeveri, lëvizja ZNAM, thotë se pas ristrukturimit të qeverisë, lëvizja ZNAM do të jetë më e fortë si në aspektin e personelit ashtu edhe me potencialin dhe në dispozicion të zbatimit të drejtpërdrejtë të pushtetit në ministritë e linjës dhe nivelet më të ulëta të qeverisë.
Kujtojmë se Mickoski e ka paralajmëruar rikonstruimin e Qeverisë prej muajsh kurse zyrtarizimi duhet të ndodhë sonte.