Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në reformën e administratës publike, me përparim të kufizuar, kryesisht në digjitalizimin e shërbimeve dhe menaxhimin elektronik të dokumenteve. Reformat vazhdojnë të pengohen nga politizimi i administratës, zbatimi jokonsistent i rekrutimit në bazë të meritës, mungesa e kuadrove të kualifikuara dhe mangësitë në ligjet që rregullojnë nëpunësit administrativë dhe menaxhmentin e lartë. Ky i fundit, ndonëse u miratua në qershor të vitit 2026, përmban mangësi serioze në procedurat e përzgjedhjes dhe shkarkimit të drejtuesve. Këto janë kritikat që kanë shoqëruar administratën e Maqedonisë së Veriut në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, raporton Portalb.mk.
Komisioni Evropian kritikon edhe për transparencë të pamjaftueshme të institucioneve, mungesë të publikimit të raporteve dhe vendimeve të Qeverisë, zbatimi jo i plotë i ligjeve dhe rekomandimeve të revizionit, si dhe vonesat në reformën e menaxhimit të financave publike.
“Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e reformës së administratës publike. Është shënuar njëfarë përparimi përmes zgjerimit të ofertës së shërbimeve elektronike dhe përmirësimit të sistemit për menaxhimin elektronik të dokumenteve. Vazhdojnë përpjekjet për ndryshimin e Ligjit për nëpunësit administrativë dhe Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, me qëllim adresimin e dobësive të konstatuara pas miratimit të tyre. Vendi miratoi edhe Ligjin për menaxhmentin e lartë, i cili ka mangësi serioze lidhur me përbërjen e komisioneve përzgjedhëse, metodologjitë për përzgjedhjen dhe rekrutimin e drejtuesve të lartë, si dhe kriteret objektive për shkarkimin e tyre”, thuhet në raport.
Rekomandimet e Komisionit nga raporti i vitit të kaluar u zbatuan pjesërisht dhe gjatë vitit të ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet veçanërisht:
-
Të miratojë dhe zbatojë Ligjin e rishikuar për nëpunësit administrativë, Ligjin e rishikuar për të punësuarit në sektorin publik dhe rregullat që rregullojnë menaxhmentin e lartë;
-
Të përfundojë rishikimin dhe të vazhdojë zbatimin e Ligjit për organizimin shtetëror dhe ligjeve të tjera përkatëse, në përputhje me rekomandimet për organizimin e ri të organeve të administratës shtetërore, si dhe të sigurojë zbatimin e plotë të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative;
-
Të sigurojë zbatimin e plotë të Sistemit të Integruar Informativ për Menaxhimin Financiar (IFMIS), në përputhje me kërkesat e Ligjit të rishikuar për buxhetin, veçanërisht përmes dhënies së kontratës dhe vendosjes në funksion të sistemit, si dhe të sigurojë që modulet kryesore të jenë në rrugë të mbarë drejt funksionalizimit.
Si prioritete për periudhën e ardhshme kërkohen zbatimi i ligjeve të reja për administratën, përmirësimi i llogaridhënies dhe transparencës, forcimi i meritokracisë dhe përfundimi i reformave të financave publike.
“Në nëntor të vitit 2025, vendi miratoi udhërrëfyesin për reformën e administratës publike. Shkalla e përgjithshme e zbatimit të Strategjisë për Reformën e Administratës Publike në vitin 2025 ishte 67 përqind, ndërsa shkalla e zbatimit të Programit për Reformën e Menaxhimit të Financave Publike ishte 47 përqind. Ndarjet buxhetore për të dyja mbetën të pandryshuara, ndërsa pothuajse dy të tretat e të gjitha masave financohen nga donatorët. Përfshirja aktive e Ministrisë së Financave mbetet thelbësore për koordinimin e reformave ndërmjet reformës së administratës publike dhe menaxhimit të financave publike, si dhe për sigurimin e suksesit të reformave ndërsektoriale”, thuhet në raport.
Sa i përket kornizës institucionale, KE vlerëson se Këshilli për Reformën e Administratës Publike vazhdoi të ofrojë mbështetje politike, udhëheqje dhe mbikëqyrje të reformave. Nevojitet punë shtesë për përmirësimin e buxhetimit, planifikimit strategjik dhe mekanizmave të raportimit, me qëllim identifikimin në kohë të prioriteteve.
“Legjislacioni i rishikuar për nëpunësit administrativë dhe të punësuarit në sektorin publik, i miratuar në vitin 2025, ende nuk ka filluar të zbatohet. Futja e rekrutimit të decentralizuar duhet të ruajë praktikat e njëtrajtshme dhe të standardizuara të përzgjedhjes në të gjithë administratën, si dhe meritokracinë dhe objektivitetin gjatë dhënies së kontratave të përhershme dhe me afat të caktuar në shërbimin publik”, thuhet në raport.
Avancim i bazuar në merita jokonsekuent
Sipas kornizës aktuale ligjore, procedurat e rekrutimit, përzgjedhjes dhe avancimit të bazuara në meritë zbatohen në mënyrë jokonsistente.
“Politizimi, shkallët e pagave me paga të ulëta dhe mundësitë e kufizuara për avancim e ulin atraktivitetin e administratës publike si punëdhënës. Edhe pse ka përmirësime të vogla në mbledhjen e të dhënave për performancën, sistemi i vlerësimit të performancës vazhdon të zbatohet në mënyrë jokonsistente”, thuhet në raport.
Sistemet e klasifikimit të vendeve të punës dhe të shpërblimit duhet ende të përmirësohen për të siguruar më shumë siguri në punë, stabilitet dhe mbajtje të stafit.
Sistemi i pagave nuk është i unifikuar në të gjitha organet publike dhe është e zakonshme që institucionet shtetërore të nënshkruajnë individualisht marrëveshje kolektive me të punësuarit e tyre, përmes të cilave parashikohen shtesa në paga.
Ende mungon politikë gjithëpërfshirëse për mbajtjen e personelit në administratën publike, ndërsa që nga shkurti i vitit 2026 zbatohet një politikë e pjesshme për mbajtjen e personave që punojnë në çështjet e integrimit evropian dhe IPA-s (Instrumenti i Paraanëtarësimit).
Ligji për menaxhmentin e lartë, thotë KE, u miratua në qershor të vitit 2026, por ka mangësi serioze lidhur me përbërjen e komisioneve përzgjedhëse, metodologjitë për përzgjedhjen dhe rekrutimin e drejtuesve të lartë, si dhe kriteret objektive për shkarkimin e tyre.
“Sistemi Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (HRMIS) është në proces të përmirësimit, me qëllim menaxhimin automatik të proceseve kryesore të burimeve njerëzore, funksioneve të pagave dhe të dhënave të të punësuarve. Pengesa kryesore aktualisht është mungesa e ndërveprimit ndërmjet sistemeve dhe mungesa e përditësimeve të rregullta. Ministria e Administratës Publike i rriti kapacitetet për koordinimin dhe monitorimin e menaxhimit të burimeve njerëzore në të gjithë administratën publike, megjithëse kapacitetet e koordinimit qendror duhet të forcohen më tej”, thekson KE.
Llogaridhënia e administratës
Llogaridhënia e administratës publike duhet të përmirësohet më tej.
Vazhdoi riorganizimi i institucioneve të pushtetit qendror, me qëllim përmirësimin e efikasitetit dhe llogaridhënies.
“Diskutimet për ndryshimet ligjore në Ligjin sistemik për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore janë në vazhdim. Qeverisja e brendshme vazhdon të vuajë nga mbivendosja e përgjegjësive, ndërsa një numër i madh organesh shtetërore japin llogari para Kuvendit, edhe pse performanca e tyre nuk monitorohet në mënyrë efektive nga ky institucion”, thuhet në raport.
Delegimi i autoritetit për vendimmarrje, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, mbetet i pamjaftueshëm, duke kufizuar llogaridhënien menaxheriale.
Nevojiten më shumë debate politike për raportet e Entit Shtetëror të Revizionit dhe ndjekje më sistematike të gjetjeve dhe rekomandimeve të tij, si nga Qeveria ashtu edhe nga organet e zbatimit të ligjit.
Situata nga viti i kaluar nuk është se ka pësuar ndryshim për të mirë. Njëjtë edhe si në vitin 2025, vendi në këtë fushë mbetet mesatarisht i përgatitur. Edhe vitin e kaluar, KE kritikoi për ritëm të ngadalshëm të reformave në administratën publike dhe mesatarisht e përgatitur. Ishte kritikuar Kritikohet fragmentimi i rregullave që rregullojnë nëpunësit civilë, si dhe vonesat në zbatimin e reformave të miratuara. Po ashtu, theksohej se ligjet e reja kërkojnë zbatim të menjëhershëm dhe se riorganizimi institucional nuk është përfunduar. Një tjetër kritikë e rëndësishme lidhej me digjitalizimin, pasi regjistrat institucionalë dhe shkëmbimi i të dhënave ishin të papërfunduar.
Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.
- Lexo gjetjet e raportit të vitit të kaluar për administratën publike: Ligji për shërbimin e lartë drejtues dhe rregullat e fragmentuara për nëpunësit civilë, boshllëqet e RMV-së në fushën e administratës publike