Revizioni konstatoi se EMV ka paguar miliona euro për furnizime që nuk i ka përdorur

Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) ka konstatuar një sërë dobësish dhe parregullsish në planifikimin, zbatimin dhe realizimin e prokurimeve publike në SHA EMV – Shkup. Me revizionin e përputhshmërisë janë përfshirë 27 procedura për prokurime publike me detyrime të marra në vitin 2024 në vlerë të përgjithshme prej mbi 8,8 miliardë denarësh (rreth 143,5 milionë euro), që përbën 58,42 përqind të detyrimeve të përgjithshme që i nënshtrohen Ligjit për Prokurime Publike, në vlerë prej 5 175 014 mijë denarësh, transmeton Portalb.mk.

Revizorët kanë konstatuar se prokurimet nuk janë në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore, ndërsa proceset janë zhvilluar me konkurrencë të kufizuar, vlerësime financiare joreale dhe rrezik të shtuar për përdorim joekonomik të parave shtetërore.

Edhe pse ishte miratuar një udhëzim për mënyrën e realizimit të prokurimeve, ai nuk përmbante udhëzime të sakta për përcaktimin e nevojave, sasive dhe vlerës së parashikuar. Si pasojë, gjatë vitit 2024 janë miratuar 19 vendime për ndryshimin e Planit Vjetor të Prokurimeve Publike, gjë që ka ndikuar negativisht në efikasitetin e procedurave, planifikimin e mjeteve financiare dhe afateve, si dhe në transparencën dhe parashikueshmërinë e tyre.

Me revizionin, siç thuhet në raport, janë konstatuar prokurime të mallrave dhe shërbimeve që nuk janë përdorur ose nuk janë realizuar plotësisht.

Janë paguar 2,29 milionë euro (141,6 milionë denarë) për furnizimin me aditiv, pjesa më e madhe e të cilit ka mbetur plotësisht e papërdorur dhe i ka skaduar afati i përdorimit.

Përmes një procedure negociimi pa publikim të njoftimit, për shkak të një urgjence të pretenduar të skajshme, janë paguar 2,48 milionë euro (153,2 milionë denarë) për një motor me gaz. Ai prej kohësh qëndron i magazinuar dhe nuk është vënë fare në funksion, pasi nuk janë siguruar as parakushtet themelore për instalimin e tij.

Revizorët kanë konstatuar gjithashtu se janë paguar 1,72 milionë euro (106,2 milionë denarë) për aktivitete për zhvendosjen e pajisjeve që nuk janë vënë fare në përdorim.

„Gjendjet e tilla paraqesin humbje financiare për shoqërinë, përdorim joracional të mjeteve publike dhe ndikojnë negativisht në kryerjen e veprimtarisë“, thuhet në raport.

Në vitin 2022 ishte zhvilluar procedurë për prokurim publik të shërbimeve të sigurimit, e ndarë në 10 pjesë, pas së cilës në vitin 2023 ishin lidhur kontrata për gjashtë pjesë, me vlerë prej rreth 5,8 milionë eurosh. Me anekse, çmimi për disa prej tyre ishte rritur për 1,1 milionë euro shtesë, edhe pse Komisioni Profesional kishte dhënë mendim se çmimet e ofruara nuk ishin të tregut. Për më tepër, në policat e sigurimit ishin paraqitur agjentë/brokerë që nuk ishin paraparë fare në tender.

EShR-ja vëren se mbi 70 përqind e vlerës së përgjithshme të kontratave të lidhura në vitin 2024 kanë përfunduar te vetëm gjashtë operatorë ekonomikë, ndërsa në një numër të madh procedurash kishte vetëm nga një ofertë të dorëzuar.

Përveç kësaj, revizorët kanë konstatuar prokurime me specifikime teknike të përshtatura që favorizojnë një markë të caktuar ose prodhues të autorizuar, mospranim të dokumentacionit të atesteve, por edhe tejkalim të pragut ligjor të vlerës për prokurime pa zhvillimin e procedurës, në vlerë prej mbi 81 000 eurosh.

„Në një pjesë të procedurave nuk është kryer kontroll i plotë dhe i detajuar i dëshmive për përmbushjen e kushteve, ndërsa për mallrat dhe shërbimet e dorëzuara, në raste të caktuara mungon dokumentacioni përkatës teknik, i atesteve dhe dokumentacion tjetër i besueshëm“, shtohet në raport.

Gjithashtu thuhet se ka raste të pranimit të ndryshimeve thelbësore të karakteristikave teknike pas kryerjes së furnizimit, gjë që vë në pikëpyetje trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë dhe rregullsinë e procedurave.

Enti Shtetëror i Revizionit i ka dorëzuar SHA EMV – Shkup një sërë rekomandimesh me qëllim që të sigurohet përdorim më urgjent, më ekonomik, transparent dhe ligjor i burimeve publike.

Kujtojmë se në raportin paraprak, Revizioni konstatoi se në periudhën nga viti 2022 deri në maj të vitit 2025, sistemi i vendosur për lëshimin e lejeve për ndërtimin e termocentraleve fotovoltaike nuk ka siguruar përputhshmëri të plotë me ligjin, planifikim në kohë, veprim të koordinuar institucional dhe zbatim efikas të procedurave.

Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) (ELEM)Enti Shtetëror për Revizion RMV (ESHR)