Rreth 1800 bujq nga rajoni i Komunës së Likovës nuk kanë marrë ende dëmshpërblime për dëmet që u shkaktuan nga reshjet të vitit 2024, shkruan Portalb.mk.
Bujqit ankohen se nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim, pavarësisht dëmeve të mëdha që kanë pësuar.
“Para një viti breshëri më shkatërroi të gjithë tokën qe e kisha mbjellë, dhe më besoni se rreth dy hektarë e gjysmë që i kisha mbjellë shalqi, dhe rreth dy mijë euro kisha investuar asnjë dëmshpërblim deri tani se kam marrë asnjë denarë nga shteti, dhe këtë vit nuk pasur mundësi të mbjelli”, tha një bujk.
“Breshëri më dëmtoi të mbjellat mbi tre hektarë tokë. Aplikova kur ishte koha dhe ende asnjë ndihmë nuk na u mundësua nga shteti, edhe pse jemi mësuar me këtë se shteti vetëm premton por asnjëherë nuk realizon, se kur i lëshojnë ato ndihma një Zot e di”, tha një tjetër bujk.
“Është e padrejtë që ne bujqit që ushqejmë këtë vend, të lihemi pas dore. Mendoj se shteti duhet të jetë pranë bujqve në raste fatkeqësish, edhe pse i kam dorëzuar të gjitha dokumentet që kërkoheshin për dëmshpërblim, por deri më sot nuk kemi marrë asnjë ndihmë, dhe asnjë sqarim se pse ende këto ndihma nuk i kemi marrë”, tha një tjetër bujk.
Nga Komuna e Likovës theksojnë se Qeveria ende nuk ka lëshuar fonde për këtë çështje.
“Sa i përket kësaj çështjeje, Qeveria ende nuk ka lëshuar mjete. Në momentin që do të sigurohen mjetet, komuna, në bashkëpunim me komisionin, do t’ua ndajë ato të gjithë bujqve”, thanë nga Komuna e Likovës.
Nga Qeveria theksojnë se banorët e Komunës së Likovës nuk kanë marrë kompensim për shkak se komuna nuk ka dorëzuar dokumentacionin e plotë të kërkuar nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.
“Komisioni për vlerësimin dhe përcaktimin e lartësisë së dëmit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera, pas shqyrtimit të dokumentacionit të dorëzuar, bëri vlerësimin e plotësisë së tij dhe konstatoi se lënda nuk është përpunuar në përputhje me Metodologjinë për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr.181 nga 05.08.2021)”, thanë nga Qeveria.
Qeveria theksoi se lëndët e reja duhet të dorëzohen në Komisionin për vlerësimin dhe përcaktimin e lartësisë së dëmit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera brenda 30 ditëve nga pranimi i shkresës, përndryshe Komisioni do ta informojë Qeverinë se lënda është e paplotë.
“Shkresa për plotësim dhe kompletim është dorëzuar në muajin janar, por deri më sot Komuna nuk ka dorëzuar asnjë përgjigje. Edhe pse kanë kaluar 30 ditë, nëse Komuna e dorëzon dokumentacionin e plotë, lënda do të kthehet në procedurë”, shtuan nga Qeveria.
Në lidhje me këtë problem Portalb.mk bisedoi me Fatmir Sabriun nga Komisioni Qeveritar për kompensimin e dëmeve në bujqësi, i cili thotë se ka pasur mangësi të lëndës nga Komuna e Likovës.
“Komisioni ka shqyrtuar lëndën e dërguar nga Komuna e Likovës dhe ka konstatuar se e njëjta ka mangësi, gjegjësisht nuk është e kompletuar në bazë të metodologjisë dhe rregullativës ligjore, andaj komisioni me datë 31.01.2025 ju drejtua Komunës së Likovës me shkresë për korrigjim të lëndës, mirëpo nga ana e komunës akoma nuk e kemi pranuar lëndën e kompletuar”, tha Sabriu.
Ai shtoi se në momentin qe do t’ia pranojnë lëndën do e shqyrtojnë dhe do të njoftojnë Qeverinë për statusin e së njëjtës me qellim të ndarjes së mjeteve për të dëmtuarit.
Kujtojmë se në qershor të vitit 2024, Këshilli i Komunës së Likovës mbajti seancë, në të cilën u mor vendim për ridestinimin e mjeteve buxhetore për dëmet e shkaktuara nga reshjet. Aso kohe, reagoi edhe Erkan Arifi kryetari i Komunës së Likovës, i cili u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kishin pësuar dëme të dorëzonin urgjentisht dokumentet e nevojshme. Megjithatë, deri më sot, bujqit e Likovës nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.
Qershorin e vitit të kaluar, të reshurat e rrëmbyeshme të shiut gjatë mbrëmjes shkaktuan dëme të mëdha në fshatrat e Komunës së Likovës. Shirat e dendur përmbytën rrugët dhe shkaktuan shkatërrime të konsiderueshme në të mbjellat bujqësore.