Reshjet e dendura: Evakuime në Kërçovë, lumenj të tejmbushur, përmbytje dhe vështirësi në trafik në disa rajone

Reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa rajone në të gjithë vendin. Në Kërçovë, popullsia është evakuuar tashmë, ndërsa lumenjtë kanë dalë nga shtrati në rajonin e Gostivarit dhe Ohrit, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), raporton Portalb.mk.

Në Komunën e Kërçovës, përmbytjet në rrugën Prilepska detyruan evakuimin e rreth 100 personave. Qytetarët janë vendosur përkohësisht në Sallën Sportive Hristo Uzunov, ku ekipet e Kryqit të Kuq dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë siguruar tashmë ushqim, ujë, shtretër, dyshekë dhe batanije.

Në Kërçovë, lumi Zajashka doli nga shtrati pranë stadiumit Vllazrimi, ndërsa lumi Treska përmbyti tokë bujqësore në zonat e fshatrave Bigor Dolenci dhe Vraneshti.

Në Komunën e Ohrit, lumi Daljan doli nga shtrati i tij në disa vende. Një numër i madh shtëpish, bodrumesh dhe oborresh në të gjithë qytetin u përmbytën. QMK thotë se shtabi i krizës është në terren dhe po koordinon aktivitetet e shpëtimit.

Rruga midis fshatrave Forinë dhe Tumçevishtë në Komunën e Gostivarit është pothuajse e pakalueshme. Lumi Llakaviçka doli nga shtrati pranë fshatit Malo Turçane, dhe lumi Susheçka në Gorna Banjica.

Mbrëmë, QMK informoi se për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ndodhi rrëshqitje tjetër toke në rrugën drejt Banjës së Tetovës, prandaj qytetarëve u bëhet thirrje të mos udhëtojnë nëpër këtë pjesë.

Për shkak të rritjes së madhe të nivelit të ujit të lumenjve dhe shtëpive të përmbytura në rajonet e Manastirit dhe Prespës, një takim urgjent i Shtabit të Krizës së Komunës së Manastirit është thirrur në orën 9 të mëngjesit për të përcaktuar prioritetet dhe për të koordinuar aktivitetet në terren.

KërçovaPërmbytje - VërshimeQendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMV