Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rrugën përgjatë Banjës së Tetovës ka rrëshqitur dheu ndërsa autoritetet apelojnë që qytetarët të shmangin kalimin deri në përmirësimin e situatës, raporton Portalb.mk.
Nga Komuna e Tetovës thonë se edhe pse janë kryer intervenime, si pasojë e reshjeve të shiut ka përsëri rrëshqitje të dheut në rrugën e Banjës.
“Luten qytetarët që të mos qarkullojnë në këtë zonë deri në përmirësimin e kushteve dhe stabilizimin e situatës. Autoritetet komunale janë në terren dhe po ndjekin nga afër situatën”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Edhe nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftuan se pas një thirrje në numrin emergjent 112, për shkak të reshjeve të shiut ka përsëri rrëshqitje të dheut në rrugën drejt Banjës.
“Qytetarët lutën të mos qarkullojnë në këtë zonë deri sa situata të stabilizohet. Ekipet komunale janë në terren dhe po e ndjekin situatën nga afër”, thanë nga QMK.
Kjo rrugë, edhe pse e rregulluar në vitin 2017, megjithatë nuk është adekuate dhe plotësisht e sigurt për shkak se shpesh herë ka shembje të tokës përreth, duke bllokuar pjesërisht apo tërësisht kalimin.
Rrëshqitja e dheut përgjatë rrugës për në Banjën e Tetovës mbetet problem i kësaj zone, i cili rrezikon qytetarët dhe shpesh bllokon lëvizjen në atë aks rrugor. Dheu që rrëshqet përgjatë kësaj rruge përbën rrezik për qytetarët në vazhdimësi, ndërsa situata rrënohet kur ka reshje të shiut ku dheu dhe gurët dalin dhe bllokojnë komplet rrugën.
Pavarësisht se aty janë ndërtuar disa mure mbajtëse, problemi nuk është zgjidhur në tërësi.