Regjisorët Ibër Deari dhe Mirsad Abazi janë përzgjedhur në programin prestigjioz Doc Around Europe Talents 2026 me dokumentarin “ANTIGONA”, të financuar nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.
Doc Around Europe Talents është iniciativë evropiane, e mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Evropian, që synon promovimin e autorëve më premtues të filmit dokumentar dhe lidhjen e tyre me festivale, producentë dhe profesionistë të industrisë së filmit në Evropë.
Në kuadër të këtij programi, Deari dhe Abazi prezantohen si autorë të dokumentarit “ANTIGONA”, i cili këtë vit pati premierën botërore në Sheffield DocFest, një nga festivalet më të njohura ndërkombëtare të filmit dokumentar.
Përzgjedhja e tyre në Doc Around Europe Talents 2026 paraqet një tjetër vlerësim ndërkombëtar për autorët, por edhe promovim për kinematografinë e Maqedonisë së Veriut në skenën evropiane.