Javë Kulturore Artistike në Strugë nga 14-20 korrik, këto do të jenë aktivitetet

Nga data 14 deri më 20 korrik, Struga do të jetë nikoqire e “Javës Kulturore Artistike 2026”, manifestim i organizuar nga Komuna e Strugës, që sjell një program me koncerte, teatër, poezi, ekspozitë artistike dhe aktivitete sportive, shkruan Portalb.mk.

Programi do të hapet më 14 korrik, në qendër të qytetit, me koncertin festiv të hapjes, ku do të performojnë emra të njohur të skenës shqiptare, si Selami Kolonja, Nikolë Nikprelaj, Ilir Shaqiri, Enkelejda dhe Kastriot Tusha. Koncerti do të nisë në orën 20:30.

Më 15 korrik, në Pallatin e Kulturës në Strugë, publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqjen teatrore me interpretimin e aktorit Bajrush Mjaku, ndërsa më 16 korrik, në Parkun e Poezisë, do të mbahet koncert artistik me Elita Reçin dhe Kastriot Tushën.

Në kuadër të programit është paraparë edhe një Natë Poetike, e cila do të mbahet më 17 korrik në Europe House, me pjesëmarrjen e poetëve dhe krijuesve letrarë, kushtuar poezisë bashkëkohore.

Më 18 korrik, në Plazhin e Djemve, do të zhvillohet Turniri Sportiv në Ujë, në organizim të Youth of Struga, ndërsa më 19 korrik, para Komunës së Strugës, do të hapet ekspozita artistike e artistit Enkel Dika.

Manifestimi do të përmbyllet më 20 korrik në Pallatin e Kulturës, me koncertin përmbyllës të këngëtares Xhevrie Tule.

Kultura shqiptareKulturë lajmeStruga