Njoftimet për reforma të mundshme të sistemit pensional, përfshirë këtu edhe për ndryshime në shtyllën e dytë pensionale dhe rritjen e moshës së pensionimit, kanë ngjallur një debat të gjerë publik. Ekspertët thonë se reformat në sistemin pensional janë të domosdoshme, por nuk duhet të kryhen pa analiza të hollësishme dhe përllogaritje afatgjata, transmeton Portalb.mk nga Dojçe Vele (DW).
E përderisa udhëheqësia e shtetit po hap debat mbi të ardhmen e shtyllës së dytë pensionale dhe ndryshimet e mundshme në moshën e pensionimit, ekonomistët Bllagica Petreski dhe Branimir Jovanoviq janë të mendimit se zgjidhjet duhet të bazohen në fakte, projektime demografike dhe në një vlerësim të efekteve mbi brezat e ardhshëm.
Sipas tyre, nevojitet një paketë reformash që do ta përmirësojë qëndrueshmërinë e sistemit, pa e dëmtuar besimin e të siguruarve dhe pa zgjidhje afatshkurtër të problemeve buxhetore në kurriz të pensionistëve të ardhshëm.
Nga Qeveria për momentin nuk zbulojnë se çfarë masash konkrete do të propozohen, por kanë njoftuar se vendimet përfundimtare do të varen nga analiza të shumta të përgatitura nga ekspertë vendas, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Bllagica Petreski: Nuk ka reforma të suksesshme pa analiza të hollësishme
Bllagica Petreski, drejtoreshë ekzekutive dhe ekonomiste kryesore në “Finance Think”, është e mendimit se çdo reforme duhet t’i paraprijë një аnalizë e plotë dhe gjithëpërfshirëse e të gjithë sistemit.
“Nuk ka dyshim se është e nevojshme reformë. Por, zgjidhja optimale nuk mund të përcaktohet pa një vlerësim që njëkohësisht i merr parasysh të gjitha dimensionet e sistemit. Qëndrueshmëria e sistemit pensional është një çështje që matet në dekada, jo në cikle buxhetore dhe për këtë arsye çdo vendimi duhet t’i paraprijnë rezultatet e një analize serioze, dhe jo anasjelltas”, tha Petreski.
Sipas saj, sfida më e madhe mbeten ndryshimet demografike. Indeksi i plakjes e tejkaloi shifrën 100 në vitin 2021, që do të thotë se në vend ka më shumë të moshuar sesa fëmijë. Përveç kësaj, raporti midis të siguruarve dhe pensionistëve në vitin 2024 ka rënë në 1,61, një nivel që ekonomistët e konsiderojnë alarmant.
Petreski thekson se në dekadat e ardhshme popullata e aftë për punë do të zvogëlohet edhe më shumë, kështu që shtyrja e reformave do ta zvogëlonte mundësinë për zgjidhje graduale dhe të pranueshme nga aspekti social.
Nuk mjafton ndryshimi i vetëm një parametri
Sipas analizave të ekonomistes korrigjimi i vetëm një elementi të sistemit, siç është mosha e daljes në pension, formula e rregullimit të pensioneve ose shkalla e kontributeve, nuk mund të sjellë stabilizim të qëndrueshëm.
“Një reformë më substanciale nënkupton një kombinim masash që e shpërndajnë në mënyrë të drejtë barrën midis punëtorëve, pensionistëve dhe shtetit. Disa rregullime të moderuara shpesh kanë një efekt më të mirë se një masë radikale”, vlerëson Petreski.
Ajo shton se shteti duhet ta respektojë formulën ligjore për harmonizimin e pensioneve dhe paralelisht të punojë për formalizimin e ekonomisë dhe përfshirjen më të madhe të popullatës joaktive në tregun e punës.
Shtylla e dytë pensionale nuk duhet të jetë viktimë e zgjidhjeve afatshkurtra
Petreski paralajmëron se ndërhyrjet në shtyllën e dytë pensionale nuk duhet të kryhen pa analiza të hollësishme. Sipas saj, paratë që sot grumbullohen në llogaritë individuale paraqesin një ulje të ardhshme të detyrimeve të shtyllës së parë pensionale.
“Ulja ose ridestinimi i këtyre fondeve përkohësisht mund ta lehtësojë presionin buxhetor, por në të njëjtën kohë i rrit detyrimet e ardhshme të shtetit dhe mund ta ulë më tej besimin tek të siguruarit”, paralajmëron ajo.
Sllaveski dhe Mickoski njoftuan një debat për sistemin
Debati publik u intensifikua edhe më tej pasi guvernatori Trajko Sllaveski dhe kryeministri Hristijan Mickoski njoftuan se disa nga të siguruarit në shtyllën e dytë pensionale mund të përballen me pensione më të ulëta nga se pritej.
Në podkastin “Ku janë paratë?” kryeministri tha se disa nga idetë që po shqyrtohen janë nëse pensionistët e ardhshëm së pari do i kishin përdorur plotësisht kursimet nga shtylla e dytë, e më pas, pasi të shterohen këto fonde, do të kalonin me pensionet e tyre në FSPIRMV, gjë që do t’i mundësote fondit shtetëror hapësirë për stabilizim. Ministrja e financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e hapi edhe temën e zgjatjes vullnetare të kohëzgjatjes së punës.
Për momentin personat e siguruar në Maqedoninë e Veriut fitojnë të drejtën për pension mbi bazë të moshës në moshën 64 vjet për burrat dhe 62 vjet për gratë, me të paktën 15 vjet stazh pune.
Qeveria është në pritje të rezultateve të disa analizave që po përgatiten nga Banka Botërore dhe FMN dhe një komision ekspertësh nga vendi.
Branimir Jovanoviq: Debati nuk po e qëllon thelbin
Hulumtuesi ekonomik në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, Branimir Jovanoviq, është i mendimit se debati publik po përqendrohet në çështjet e gabuara. Sipas tij, problemi kryesor me reformën pensionale të njëzet viteve më parë është se shteti praktikisht po i subvencionon fondet pensionale private, domethënë u jep atyre një pjesë të kontributeve në mënyrë që ato të mund të nxjerrin fitime, të cilat kryesisht vijnë nga interesat e fletëobligacioneve shtetërore.
“Askush nuk flet për këtë problem thelbësor, por për prurjet e ulëta të shtyllës së dytë pensionale dhe deficitin buxhetor që rezultoi nga reforma. Të dyja ishin të pritshme dhe kryesisht të pashmangshme”, tha Jovanoviq.
Ai është i mendimit se marrja eventuale e fondeve nga fondet private mund ta ulë borxhin publik dhe deficitin buxhetor në afat të shkurtër, por se nuk do ta zgjidhë problemin e popullsisë në plakje në afat të gjatë.
“Edhe nëse i nacionalizoni fondet pensionale private problemi themelor i sistemit pensional – numri në rritje i pensionistëve krahasuar me numrin e të siguruarve – do të mbetet. Ndryshimet janë të nevojshme, por ato nuk duhet të bëhen me nxitim dhe brenda natës. Nevojiten analiza serioze dhe zgjidhje të menduara mirë”, thekson Jovanoviq.
Shtylla e dytë duhet të mbetet, por të përmirësohet
Jovanoviq është i mendimit se shtylla e dytë pensionale duhet të mbahet, por se është e mundur të merren në konsideratë ndryshime në funksionimin e saj, si për shembull të parashihet që ajo të mos mund të investojë në letra shtetërore me vlerë. Edhe sikur shteti të vendosë t’i marrë përsipër fondet, ato duhet të vazhdojnë të funksionojnë si fonde investimi, por në pronësi të shtetit.
Sipas tij, nevojiten edhe reforma shtesë siç është heqja e lirimeve nga pagesat e kontributeve, një arkëtim më i mirë i kontributeve dhe një drejtësi më e madhe tatimore.
Në një deklaratë për DW ai është i bindur se rritja e moshës së pensionimit nuk duhet të bëhet me lehtësi, sepse jetëgjatësia pas pensionimit në Maqedoninë e Veriut është vetëm 12 vjet dhe është ndër më të ulëtat në Evropë, ndërsa mesatarja në BE është 20 vjet.
Pensionistët bëjnë thirrje për kujdes
Nga Partia e Pensionistëve së fundmi shprehën shqetësime serioze lidhur me njoftimet për reforma të mundshme që do të nënkuptonin zgjatje të viteve të punës.
Nga atje janë të mendimit se një rritje e ndjeshme e moshës së pensionimit do të shkaktonte stres dhe pasiguri shtesë tek qytetarët që janë para pensionimit. Në vend të kësaj, ata propozojnë ndryshime graduale, mbështetje për të rinjtë, rregullim sistematik të pensioneve, luftim të ekonomisë gri dhe përmirësim të funksionimit të shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve.
Sipas tyre, një pleqëri dinjitoze është e drejtë e qytetarëve dhe reformat nuk duhet të zbatohen në dëm të pensionistëve aktualë dhe atyre të ardhshëm.
Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme të ekonomistëve, politikanëve dhe pensionistëve lidhur me drejtimin në të cilin duhet të lëvizin reformat, të gjithë pajtohen se para se të merren vendime përfundimtare duhet të kryhen analiza të hollësishme. Rezultatet e analizave nga Qeveria, Banka Botërore dhe FMN-ja do të jenë vendimtare për atë nëse do të ketë ndryshime në shtyllën e dytë pensionale, nëse do të hapet çështja e moshës së pensionimit dhe cila do të jetë e ardhmja e sistemit pensional në vend.