Qeveria dhe Banka Popullore e kanë hapur “kutinë e Pandorës” – në tryezë është vënë çështja nëse pensionistët e ardhshëm, përkatësisht punonjësit e sotëm, do të kenë pensione të rregullta dhe të plota nga fondi shtetëror dhe nga fondet private pensionale. Sipas analistëve, ndryshimet në sistemin aktual pensional janë të domosdoshme, por shtrohet pyetja se nga duhet të fillojnë reformat dhe kush do ta “paguajë” koston e tyre, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Moshë më e lartë pensionimi apo përqindje më të larta të kontributeve…
“Pensionistët që në vitet e ardhshme do të fillojnë të dalin në pension përmes shtyllës së dytë pensionale mund të përballen me një surprizë të pakëndshme – pensionet e tyre mund të mos arrijnë as nivelin e pensionit minimal që do të paguhej nga fondi shtetëror.” Kjo deklaratë e guvernatorit Trajko Sllaveski, e plotësuar me qëndrimin e kryeministrit Hristijan Mickoski se pensionistët e ardhshëm nuk do të jenë të kënaqur me atë që do të shohin në llogaritë e tyre, shkaktoi një “stuhi” reagimesh në qarqet e biznesit, ato politike, qytetare dhe sindikale.
Ekonomistët e konsultuar nga “Portalb”- vlerësojnë se deklarata të tilla duhet të shpjegohen dhe argumentohen me saktësi, e jo të reduktohen në “frikësimin” e pensionistëve të ardhshëm, përkatësisht punonjësve të sotëm. Fondi Shtetëror Pensional përballet me vështirësi dhe, pa transferime nga buxheti i shtetit, nuk mund të sigurojë pagesën e rregullt të pensioneve. Megjithatë, pyetja kryesore është nëse Qeveria është e gatshme të ndërmarrë reforma dhe çfarë forme do të kenë ato, thotë ekonomisti Sllobodan Najdovski, ish-politikan.
“Deklaratat që dëgjuam nga guvernatori dhe nga kryeministri, pa ndonjë shpjegim të mëtejshëm, do të shndërrohen vetëm në një lloj frikësimi. Ato duhet të shpjegohen. Është pushteti ai që duhet të ofrojë dhe të gjejë një zgjidhje, në mënyrë që të mos realizohet skenari për të cilin po flasin. “Sipas mendimit tim, Qeveria do të përballet me tri zgjidhje të mundshme. E para është që, në mënyrë të vazhdueshme, “pafundësisht”, me mjete buxhetore ta mbulojë deficitin në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPIM), por kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme, pasi do të nënkuptonte rritje të deficitit buxhetor. Skenari i dytë dhe i tretë nënkuptojnë ose rritjen e moshës së pensionimit, ose rritjen e përqindjes së kontributeve për sigurimin pensional“, thotë Najdovski për “Portalb”-in.
Sipas të dhënave më të fundit të MAPAS-it, Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional me Financim Kapital, tre fondet pensionale administrojnë gjithsej 3.057.467.532 euro në emër të gjithsej 630.396 të siguruarve. Analiza vjetore e MAPAS-it tregon se është në rritje si numri i të siguruarve, ashtu edhe shuma e mjeteve që derdhen në fondet private pensionale.
“Kontributet e paguara në nivel vjetor janë rritur në të gjitha fondet pensionale, kryesisht për shkak të rritjes së numrit të anëtarëve, si dhe të rritjes së rrogave ndër vite. “Gjatë vitit 2025, mjetet totale të fondeve të detyrueshme pensionale u rritën për 15,65%, ndërsa fondet pensionale vullnetare shënuan një rritje të ngjashme prej 15,84%” , thuhet në raportin e MAPAS-it.
Pjesëmarrja e mjeteve totale të fondeve pensionale të shtyllës së dytë dhe të tretë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) është rritur dhe ka arritur madje 18,53%. Sipas analistëve, bëhet fjalë për një shumë jashtëzakonisht të madhe të mjeteve të të siguruarve, që tejkalon 3 miliardë euro, pra për kursimet që përfaqësojnë të ardhmen e pensionistëve të ardhshëm. Për këtë arsye, çështja e reformave të mundshme në sistemin pensional është shumë e ndjeshme dhe nuk duhet të shndërrohet në objekt të politikëbërjes ditore.
“Mendoj se, për momentin, nuk do të ndërmerren ndryshime radikale që do të nënkuptonin shfuqizimin e fondeve private pensionale. Megjithatë, besoj se tashmë po përgatitet terreni politik për një rritje të mundshme të moshës së pensionimit, gjë që është paralajmëruar edhe nga Ministria e Financave”, komentoi një analist për “Portalb”-in.
Sipas Najdovskit, gjendja në Fondin Shtetëror të Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPIM) është evidentuar edhe nga revizorët. Një zgjidhje do të duhet të gjendet për të siguruar pagesë të qëndrueshme të pensioneve për pensionistët e ardhshëm, por ai shpreh dyshimin se Qeveria aktuale do të ndërmarrë një reformë thelbësore.
“Shtylla e dytë pensionale u vendos në vitin 2000, ndërsa zgjidhja u mbështet edhe nga Banka Botërore. Qëllimi ishte të sigurohej stabilitet afatgjatë i sistemit, si edhe pensione më të sigurta dhe më të larta për pensionistët e ardhshëm. Njëzet e pesë vjet më vonë, po flasim për një problem të madh në sistemin pensional dhe për pasigurinë e pensionistëve të ardhshëm. Mendoj se zgjidhja në formën e ‘nacionalizimit’ të fondeve private, gjegjësisht transferimi i mjeteve të tyre në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPIM), do të ishte vetëm një masë afatshkurtër. Ajo do t’i lehtësonte përkohësisht financat e FSPIM-së, por vetëm përkohësisht. “Në kushtet kur popullsia po plaket, numri i pensionistëve po rritet, ndërsa numri i të punësuarve vështirë se rritet, problemet do të rishfaqen”, shpjegon Najdovski.
Ndërsa Qeveria po “mat pulsin” për reforma dhe ka paralajmëruar një analizë të gjendjes nga ekspertët e Bankës Botërore, LSDM-ja opozitare kritikon se, me politikat aktuale, po rrezikohet stabiliteti i sistemit pensional.
“Sipas planeve të pushtetit, mjetet që sot punëtorët i paguajnë në shoqëritë private pensionale duhet të transferohen sërish në fondin shtetëror – FSPIM. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Pushteti po e vë në rrezik shtyllën e dytë pensionale, e cila ekziston pikërisht për të ulur presionin mbi fondin shtetëror dhe për të siguruar një pension shtesë për brezat e ardhshëm. Shfuqizimi ose dobësimi i saj do të thotë se pensionistët e ardhshëm do të varen ekskluzivisht nga buxheti i shtetit”, vlerësuan nga LSDM-ja.
Reagoi edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM).
LSM shprehu shqetësim serioz për debatet gjithnjë e më të zëshme lidhur me reformat e mundshme pensionale dhe rritjen e mundshme të moshës së pensionimit. Veçanërisht shqetësuese janë informacionet se, në kuadër të reformave, po shqyrtohet edhe mundësia që pensionimi të bëhet në moshën 72-vjeçare” – vlerësuan nga sindikata.
“Portalb”-i do të publikojë edhe një analizë tematike mbi gjendjen e sistemit pensional dhe nevojën për reforma, me theks të veçantë në rekomandimet e ekspertëve dhe skenarët e mundshëm për zbatimin e tyre.
- LEXO: ANALIZË: Ribalanci i Buxhetit me “aromë” zgjedhjesh të parakohshme në RMV
- LEXO: ANALIZË: Për pesë muaj janë realizuar 38,5% e shpenzimeve kapitale, ritëm “zvarritës” në disa ministri (Infografik)
- LEXO: ANALIZË: Në prag të ribalancit të buxhetit, parashikime të reja fiskale – rritje më e ulët e PBB-së, inflacion më i lartë dhe deficit më i thellë buxhetor
- LEXO: ANALIZË: Shpenzimet kapitale për transportin publik vetëm 8,2%, realizim prej më pak se 50% për çerdhet dhe shkollat