Është regjistruar një rast i ri fatal nga ethet e Nilit Perëndimor, duke e çuar në katër numrin e personave që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Siç informoi sot drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, pacienti kishte qenë më parë i hospitalizuar në këtë klinikë për 27 ditë.
Cana theksoi se rasti i ri i dyshuar është një pacient 24-vjeçar, i cili është hospitalizuar me infeksion neuroinvaziv.
Ndërkaq, te pacientja e cila u hospitalizua dje, është konfirmuar prania e virusit të Nilit Perëndimor.
Aktualisht në Klinikën për Sëmundje infektive janë të hospitalizuar 20 pacientë me ethe të Nilit Perëndimor, prej të cilëve 18 raste janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa dy raste konsiderohen klinikisht të dyshuara. Në kujdesin intensiv janë pesë pacientë me pasqyrë më të rëndë klinike.
Deri më sot, 18 gusht 2026, në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar mbi 35 raste të Etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa 4 persona kanë ndërruar jetë nga kjo sëmundje.
Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.